×
  • Lajme
  • Lajme

    “Krijohen” 120 vende të reja të punës në Kuvend, deputetët bëhen me nga një “këshilltar” që paguhen mbi 600 euro

    Reporteri
    22 Maj 2023 | 20:01

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka miratuar rregulloren e re që përcakton shtesat mbi pagën bazë për deputetë si dhe mundëson klasifikimin e pagës për stafin mbështetës.

    Bazuar në këtë rregullore, e cila është miratuar më 14 prill, deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë të drejtën që të punësojnë nga një këshilltar politik, që në rregullore kategorizohet si “staf mbështetës politik”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Paga e secilit këshilltar do ta ketë koeficientin 5.8, që sipas Ligjit të Pagave kap shumën e mbi 600 eurove.

    Mirëpo, nuk përfundon me kaq. Ky staf mbështetës përfiton edhe shtesë të posaçme në shumën prej 30% të pagës bazë, si dhe nga 5 euro për shpenzime ditore në çdo ditë pune. Këto shtesa do t’u ndahen edhe deputetëve.

    Poashtu, secili grup parlamentar deri në 10 deputetë ka të drejtë të angazhojë nga një këshilltar politik, ndërsa grupet parlamentare prej 11 deri 20 deputetë kanë të drejtë t’i angazhojnë nga dy këshilltarë politikë.

    Si përfiton kryetari i Kuvendit dhe të tjerët

    Nga kjo rregullore përfiton edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe nënkryetarët.

    Fillmisht, Konjufca do të përfitojë 30% shtesë të pagës bazë, që kur llogaritet i bie 535.5 euro, pasi paga bazë e tij është 1 mijë e 785 euro. Kryekuvendari do ta marrë edhe një tjetër shtesë prej 47% të pagës bazë, si përfaqësues i Kuvendit, që në shifra përkthehet në 838.9 euro.

    Si përfundim, kur llogaritet paga bazë dhe shtesat, Konjufcës në fund të muajit i grumbullohen 3 mijë e 159 euro.

    Shtesa prej 30 për qind vlen edhe për nënkryetarët e Kuvendit.

    Nga paga bazë 1 mijë e 732 euro, shtesa për nënkryetarët del të jetë 519.6 euro. Në fund, ata marrin pagë 2 mijë e 251 euro. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!