×
  • Lajme
  • Lajme / Marrëveshja

    Kroacia nis procedurat për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 10:58

    mbledhjen e së enjtes të  Qeverisë së Republikës së Kroacisë,  është paraqitur propozim vendimi për fillimin e procedurave për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kroacisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke dhe shkëmbimin e patentë shoferëve.

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq ka paraqitur propozim-vendimin. Ai tha se qëllimi i marrëveshjes është përmirësimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe lehtësimit të trafikut rrugor në territorin kombëtar të palëve.

    “Është një Marrëveshje, qëllimi i së cilës është përmirësimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe lehtësimit të trafikut rrugor në territorin kombëtar të palëve. Republika e Kosovës tashmë e ka lidhur një marrëveshje të tillë me disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Bisedimet dhe negociatat janë duke u zhvilluar për përfundimin e një marrëveshjeje të ngjashme me disa shtete të tjera anëtare”, tha ministri Bozhinoviq, duke shtuar se miratimi i Vendimit do të mundësojë fillimin e negociatave për draft Marrëveshjen.

    “Drafti i Marrëveshjes së lartpërmendur përcakton procedurën e njohjes dhe zëvendësimit, si dhe mënyrën e kontrollit të vlefshmërisë dhe besueshmërisë së patentë shoferëve, dhe pas përfundimit të negociatave, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i dorëzojë Qeverisë një raport për negociatat dhe rezultatin e  tyre. Zbatimi i kësaj Marrëveshjeje nuk do të kërkojë mjete shtesë financiare nga Buxheti i Shtetit”, përfundoi ministri Bozhinoviq.

    Qeveria e Republikës së Kroacisë, me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka miratuar vendimin për fillimin e procedurës për lidhjen e Marrëveshjes në fjalë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!