×
  • Lajme
  • Lajme / Dita e të Zhdukurve

    Kurti: Beteja për të vërtetën historike të Kosovës mbetet e papërfunduar, Serbia bën luftë speciale e propagandë

    Reporteri
    27 Prill 2024 | 19:54

    Në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë, duke folur nga Meja, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sikurse vendi e ka futuar luftën e armatosur kundër Serbisë, mbetet ende të fitohet “lufta për luftën e Kosovës”.

    ‘’Ndonëse lufta e armatosur dhe e përgjakshme në Kosovë përfundoi në qershor të vitit 1999, lufta për luftën e Kosovës, nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot. Në njërën anë është Serbia autokratike që përpiqet t’i fshehë dhe mohoj krimet e kryera prej saj në Kosovë, duke u ikur përgjegjësive për to. Kurse në anën tjetër është Kosova demokratike, që me shoqërinë dhe shtetin e saj e thotë të vërtetën për luftën e Kosovës, që nga vendet ku janë kryer krimet gjatë luftës sikur Meja dhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare, sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’’ u shpreh kryeministri.

    Ai foli për luftën speciale të shtetit të Serbisë për t’i përvetësuar, imponuar dhe dominuar narracionet për luftën e Kosovës. Përballë këtyre hileve të Serbisë me mashtrime, kryeministri theksoi se Republika e Kosovës lufton në të drejtën e saj kundër propagandës së Serbisë, në beteja për të vërtetën historike të luftës së Kosovës dhe për adresimin e saj para drejtësisë, njofton ZKM-ja.

    “Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri tha se ashtu siç e kemi fituar luftën në vitin 1999, me përpjekjet e paepura të popullit tonë, me betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, ashtu do ta fitojmë edhe luftën për luftën e Kosovës, me të vërtetën historike, me drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, të gjithë ne bashkë, shteti dhe populli i Kosovës, me miq dhe aleatë si dhe me vlerat tona të përbashkëta demokratike e perëndimore”, thuhet më tej në komunikatë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!