×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari i Rahovecit konfirmon viktimën e dytë nga kjo komunë në aksidentin në Kroaci

    Reporteri
    25 Korrik 2021 | 22:26

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur se dy qytetarë nga kjo komunë kanë humbur jetën si pasojë e aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e së dielës në Slavonska Brod në Kroaci.


    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Latifaj ka thënë se viktimat janë nga Malësia e Vogël dhe Krusha e Madhe, shkruan Reporteri.net.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ pak më parë raportoi se në mesin e viktimave është edhe një 18-vjeçare nga Krusha e Madhe.

    Latifaj u shpreh ngushllime të gjithë familjeve të prekura nga kjo tragjedi.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Me të marrë lajmin tronditës, për humbjen e jetëve të dy bashkëqytetarëve tanë nga aksidenti i sotëm, kam marrë rrugën për në Kroaci, që të solidarizohem me familjarët e bashkëatdhetarët tanë në këto momente të rënda.

    Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne.

    Familjeve Kastrati dhe Bellanica u shpreh ngushëllime të sinqerta dhe solidaritetin tim më të thellë, i lutem Zotit të gjejnë forcë për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur dhe uroj që shpirti i viktimave të gjejë paqen e merituar!

    Poashtu, më lejoni të ju njoftoj se gjatë tërë ditës kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, z. Gëzim Kasapolli, dhe Kolonel, Atashe Ushtarak i Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, z.Skënder Hoxha, të cilët i falënderoj për kujdesin dhe interesimin e tyre!

    Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre dhe perspektivën për një jetë më të mirë!

    Shërim të shpejtë të lënduarve!

    Kujtimi dhe Anjeza, pushofshin në paqe!

    Ngushëllime të gjithë familjarëve të viktimave për humbjen e më të dashurve të tyre!
    SL

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!