×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Kur ka hyrë Policia jonë në Zveçan, ka gjetur fotografinë e Putinit

    Reporteri
    02 Qershor 2023 | 13:21
    Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kur Policia e Kosovës ka hyrë në objektin e Komunës së Zveçanit, aty është gjetur fotografia e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    “Në Zveçan, kur ka hyrë Policia jonë e ka gjetur fotografinë e Vladimir Putinit. Vladimir Putini nuk është kryetar komune me të cilin është binjakëzu Zveçani. Pra, këtu problemi është i thellë. Ky problem nuk zhduket nëse i mbyllim sytë”, ka thënë Kurti.

    Kurti në seancën e Kuvendit që është duke vazhduar, ka thënë se ai është i vetëdijshëm që kryetarët e zgjedhur në veri janë larg legjitimitetit të plotë politik, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje, por shton se legalitetit është aty, kushtetueshmëria e po ashtu edhe ligjshmëria, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Kryetarët aktual në veri është e vërtetë që janë larg legjitimitetit të plotë politik.  Unë jam i vetëdijshëm që dalja ka qenë 3.5 përqind dhe kjo njëmend është shumë larg prej legjitimitetit të plotë politik.

    Legaliteti është aty, ligjshmëria e kushtetutshmëria janë aty. Vetëm se ata që po na kritikojnë neve nga Beogradi, ata vetën nuk kanë kurrfarë legjitimiteti. Ata kryetarë kanë legjitimitet të vogël. Por serbët e Listës Serbe kanë legjitimitet zero. Në Republikën tonë, pushteti mund të merret vetëm me zgjedhje, jo me granata shok bomba e sulme ndaj Policisë së Kosovës”, u shpreh Kurti.

    Kurti gjatë kësaj seance është përplasur me opozitën dhe ka pyetur krerët opozitarë, Lumir Abdixhikun dhe Memli Krasniqin se a duhet t’i arrestojë këta kriminelët që fshihen pas trazirave në veri me koordinim apo pa koordinim.

    “Nga kryetarët e partive opozitare mu tha më shumë se një herë se meqenëse po i dini me rend kriminelët e bandave, pse s’po i arrestoni. Ne kemi filluar t’i arrestojmë dhe unë përmenda edhe emrat e atyre që janë arrestuar, por ka të tillë që janë edhe të paarrestuar. Nëse i hasim do t’i arrestojmë”, u shpreh Kurti ndër të tjera.

    Kurti tha se protestat në veri nuk janë për zgjedhje të reja, por janë protesta të njerëzve që e adhurojnë Millosheviqin.

    “Këto nuk janë protesta për zgjedhje të reja por protesta të njerëzve që e adhurojnë Millosheviqin”, ka thënë Kurti. /Reporteri.net/

    Kurti u drejtohet Abdxhikut e Krasniqit: A t’i arrestoj kriminelët në veri me koordinim a pa koordinim, qysh po thuni ju?

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!