Kusari-Lila: Për faj të Hotit, Veliut e Selmanajt mund të shkojmë në zgjedhje

Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila thotë se seanca e sotme është shtyrë për të dielën në mënyrë që të sigurohen kushtet e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Ajo tha se për faj të Avdullah Hotit, Agim Veliut e Driton Selmanajt vendit mund të shkojë në zgjedhje të reja.


“Sonte ka filluar seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës e cila nuk arriti të konsumojë raundin e parë të votimit për president me ç’rast duhet të jenë 80 vota në kuti”, tha Kusari-Lila.

“Në rrethanat e krijuara e shohim të domosdoshme që votimin ta shtyjmë për ditën e nesërme për orën 17:00 në mënyrë që të sigurohemi që të kemi kushte dhe mundësi për me kalu prej raundit të parë në raundin tjetër”, shtoi ajo.

“Kemi pasur kontakte në të cilat ka pasur përgjigje jo definitive dhe në fund tërheqje apo mospërgjigje për pjesëmarrje në votim. Në këtë rrethana s’mund t’i jap të gjitha specifikat sepse nuk i kam, për mos pjesëmarrjen e tyre”, theksoi Kusari-Lila.

“Ju e patë që në sallë ishin 15 deputetë të LDK’së prej të cilëve vetëm 12 morën pjesë në procesin e votimit. Nëse nuk arrijmë që të kemi një votim të suksesshëm i bie që historia po përsëritet dhe Kosova mund të ballafaqohet me një raund tjetër të zgjedhjeve të përgjithshme për faktin se ish-kryeministri Avdullah Hoti, ish-ministri Agim Veliu dhe ish-zëvendëskryeministri Driton Selmanaj refuzojnë të marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e presidentit. Deklaratat e tyre janë në kundërshti të plotë me sjelljen e tyre sonte”, tha Kusari-Lila.