Një person që shtirej si pjesëtar i FSK-së, mashtroi dy gra

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A. M. Ai po dyshohet se duke u paraqitur si pjesëtar i FSK-së, e ka kryer veprën penale në vazhdim mashtrimi.


Gjykata ka njoftuar se pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka vërtetuar faktin se i pandehuri gjatë muajve shkurt dhe mars të vitit 2021, në një fshat të Komunës së Ferizajt, në vazhdimësi me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, duke u prezantuar si pjesëtar i FSK, dhe duke u paraqitur në mënyrë mashtruese si person që ka mundësi të ndihmojë në shërimin e B. S.

Tutje gjykata njofton se i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material të dëmtuarave V. S. dhe B. S., i mashtron të njëjtat duke e vazhduar lajthimin, në atë mënyrë që të njëjtat i nxit që t`i japin para në vlera prej 9,900 euro, për shërimin e dhëmbëve, shërbime noteriale, ilaçe të mushkërive, për shërimin e B. S. në një spital privat në Prishtinë dhe Tiranë.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës se Ferizajt.