×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokurori Agron Uka e kishte rikualifikuar edhe një vrasje të rëndë në Gjilan si vrasje të rëndomtë

    Reporteri
    18 Mars 2021 | 15:54

    Autor: Arlinda Rrmoku


    Për prokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Agron Uka, rikualifikimi i veprës penale nga ‘Vrasje e rëndë’ në ‘Vrasje nga pakujdesia’ në rastin e vrasjes së 29-vjeçarit nga Deçani, Agonis Tetaj, nuk është diçka e pazakontë. Kjo pasi që Uka të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në vitin 2019, ku me aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari me inicialet L.U, nga fshati Bresalc, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 25 vite burgim efektiv për veprat penale ‘Vrasje e rëndë’, ‘Kanosje’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.


    Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Agron Uka, u bë kryefjalë në mediet kosovare të mërkurën e 17 marsit, pas rikualifikimit të veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani nga ‘Vrasje e rëndë’ në ‘Vrasje nga pakujdesia’.

    Por kjo nuk është hera e parë që Uka në fjalën përfundimtare, merr një vendim të tillë, duke ulur kështu bazën për dënim të të akuzuarit, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Njëjtë kishte vepruar edhe në dhjetor të vitit 2019, ku me aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit, i akuzuari me inicialet L.U nga fshati Bresalc, akuzohej për veprat penale ‘Vrasje e rëndë’, ‘Kanosje’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje’.

    I njëjti për këto vepra ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar nga Gjykata e Gjilanit me 25 vite burgim efektiv, por që pas ankesës së avokatit të tij, kjo lëndë ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

    Ishte prokurori Uka, ai i cili gjatë fjalës përfundimtare në seancë gjyqësore, rikualifikoi veprën penale nga ‘Vrasje e rëndë’ në ‘Vrasje’, pasi që sipas tij, duke u bazuar në vërejtjet e Gjykatës së Apelit, nuk ekzistojnë elementet e veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ dhe se vrasja ishte e rëndomtë.

    “Për të ekzistuar një vepër e tillë duhet të shkaktohen dy pasoja, e në këtë rast kemi vetëm një pasojë, atë të vrasjes së viktimës F.A.”, kishte deklaruar Uka në gjykatë.

    Sipas nenit 179 të Kodit Penal të Kosovës, kryesi i veprës penale ‘Vrasje e rëndë’ dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, ndërsa dënimi maksimal është burgim i përjetshëm.

    Por pas rikualifikimit të veprës nga prokurori Agron Uka, për kryesin e veprës parashihet dënimi jo më pak se pesë vjet burgim.

    Në rastin e L.U nga Bresalci i Gjilanit, Uka kishte hequr dorë edhe nga ndjekja penale për veprën ‘Kanosje’, sepse sipas tij, duke u bazuar në deklaratat e të dëmtuarve gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të argumentohet ekzistimi i kanosjes serioze.

    Agron Uka i kishte propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor për veprat penale ‘Vrasje dhe ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe si rrethanë rënduese ta ketë parasysh të kaluarën kriminale të tij, ndërsa si rrethanë lehtësuese se i njëjti është penduar për veprimin e tij duke kërkuar falje dhe që gjykata t’i ketë parasysh rrethanat në të cilat është kryer vepra penale.

    Ndërsa, përfaqësuesi i familjes së të ndjerit F.A avokati Hamdi Jashari, gjatë fjalës së tij përfundimtare kishte thënë se i akuzuari e ka kryer veprën penale me dashje sepse e ka mbajtur armën në dorë një kohë para se ta qëllonte viktimën, e me këtë rast edhe e ka ditur se mund të shkaktohet pasoja.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në fshatin Bresalc në Gjilan, i akuzuari L.U, me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta, F.A, duke gjuajtur me revole në drejtim të tij dhe duke e goditur në anën e majtë të kraharorit.

    Me këto veprime, L.U akuzohej se ka kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.

    Përveç kësaj, sipas aktakuzës, L.U, me dashje, të njëjtën armë ia drejton fillimisht dëshmitarëve K.H dhe L.M, pastaj edhe dëshmitarit tjetër G.A duke e tërhequr këmbëzën e revoles.

    Në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, ai ka kryer edhe veprën penale të ‘kanosjes’.

    Këto veprime, i akuzuari i kishte kryer me armën për të cilën nuk kishte autorizim dhe ishte në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, me ç’rast, akuzohet edhe për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

    E i njëjti prokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Agron Uka, po del se ka vepruar njëjtë edhe në rastin e vrasjes së 29-vjeçarit, Agonis Tetaj, nga Deçani i cili u vra në vitin 2018 në vendin e tij të punës, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.

    Prokurori nga Gjilani mori në dorë rastin e Prokurorisë Themelore të Pejës, për vrasjen e Tetajt, pas përjashtimit nga përfaqësimi i këtij rasti të prokurores së Krimeve të Rënda në Pejë, Sahide Gashi.

    Kjo e fundit insiston dhe është e bindur se i akuzuari, Shaban Gogaj, i cili është djali i pronarit të biznesit ku punonte Tetaj, ka kryer vrasje të rëndë në momentin që privoi nga jeta punëtorin, Agonis Tetaj.

    Sipas aktakuzës, ngjarja e rëndë që ndodhi në mesditën e 23 shtatorit të vitit 2018, ku 29-vjeçari Agonis Teta dyshohet se u qëllua për vdekje nga tashmë 21-vjeçari Shaban Gogaj, kishte ndodhur menjëherë pasi ky i fundit kishte marrë një telefonatë nga një person me inicialet N.M, ku sipas Prokurorisë, kjo telefonatë e acaroi atë.

    Në aktakuzë shkruan se në momentin kur Shaban Gogaj dyshohet se e ka shkrepur plumbin, Agonis Tetaj ndodhej ndërmjet dy kolegëve te tij. Kjo tregohet edhe në pamjet me video të momentit të vrasjes, të cilat i ka nxjerrë në publik babai i viktimës.

    (Kujdes, pamje të rënda)

     

    Tetaj kishte mbetur i vdekur në vend, ndërkaq Gogaj i cili ishte 18-vjeçar atë kohë, ishte arrestuar menjëherë në vendngjarje.

    Plumbi e kishte goditur Tetajn në fytyrë, konkretisht në mollëzën e djathtë dhe predha e plumbit i kishte kaluar në pjesën e prapme të qafës, e cila i ka shkaktuar kështu gjakderdhje të jashtme dhe të brendshme në cipat e buta të trurit dhe trurit të vogël, ku si rrjedhojë e kësaj, Agonisi 29-vjeçar pëson vdekje të menjëhershme.

    Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Shaban Gogaj, me dashje e kishte privuar nga jeta viktimën Agonis Tetaj.

    Gogaj ishte ngarkuar me veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, por ishte prokurori nga Gjilani, Agron Uka, i cili këtë të martë rikualifikoi veprën penale nga ‘Vrasje e rëndë’ në ‘Vrasje nga pakujdesia’.

    Pas rikualifikimit të veprës, i akuzuari Shaban Gogaj, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë.

    Ndërkaq prokurori gjilanas, ka deklaruar se nuk kishte prova se Gogaj kishte kryer veprën me dashje, e as nuk kishte ndonjë motiv apo qëllim për kryerjen e kësaj vepre.

    “Nuk është argumentuar elementi i dashjes për vrasje e as për vrasje të rëndë. Duke u bazuar në nenin 7 të KPRK-së dhe në rast të dyshimit, duhet të veprohet në favor të pandehurit, pikërisht në këto rrethana dhe fakte dhe dispozita ligjore në fuqi, bëjmë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka deklaruar Uka.

    Rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, ka bërë që babai i këtij të fundit, Isuf Tetaj, t’ua dërgojë një letër publike kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ambasadorit britanik në Kosovë, Nicholas Abott dhe atij të Gjermanisë, Joern Rohde.

    Në këtë letër publike, ku ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij dhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, Isuf Tetaj akuzon prokurorin Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së djalit të tij, Agonisit.

    “Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjyqësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.

    Me këtë letër, ai kërkoi që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

    Pas letrës, Reporteri.net publikoi edhe një fotografi ku shihen avokati Besnik Berisha që e mbron të dyshuarin Gogaj dhe prokurori Agron Uka. Për foton, i fundit i tha një mediumi që është e shkrepur tre vite më parë.

    E paraditen e së enjtes, kryeprokurori Aleksandër Lumezi, ka vendosur që në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt ta caktojë një prokuror tjetër, shkruan Reporteri.net.

    Përmes një komunikate për medie, ai ka bërë të ditur se do të kërkojë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së.

    Lumezi ka thënë se po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!