×
  • Lajme
  • Lajme

    Publikuan lajm të rremë për tërmet të ri që nxori në rrugët e Tiranës mijëra njerëz, policia arreston dy gazetarë

    Reporteri
    23 Shtator 2019 | 0:44

    Policia në Shqipëri, të dielën në mesnatë ka arrestuar dy gazetarë, të dyshuar për përhapjen e një lajmi të rremë, se në ora 23:30 do të ndodhë një termet i fuqishëm, i cili ka shkaktuar panik te qytetarët, ku mijëra njerëz braktisën shtëpitë e tyre dhe dolën në rrugë.


    Policia përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë shoqëtuar, gazetarët, Aurel Rakipllari nga ‘syri.net’ dhe Daniela Grica nga ‘Shekulli’.

    “Menjëherë pas publikimit të një lajmi të rremë në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm, lajm i cili shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar në Polici gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren Daniela Grica e “Shekullit”, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët”.

    “Policia e Shtetit ka ngritur nëj grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët. Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit. Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

    Pas lajmit të rremë, mijëra njerëz kishin braktisur shtëpitë e tyre dhe kishin dalur rrugëve dhe shesheve të Tiranës. Të tjerë me veturat e tyre, po iknin nga kryeqyteti, në drejtim të qytetit të Elbasanit.

    Ky panik dhe frikë tek qytetarët ka ndodhur pas lajmit të publikuar nga portali Syri.net, e më pas edhe në Gazetën Shekulli, ku i vihej në gojë sizmiologut grek Akis Tselentis fakti se në orën 23:30 Shqipërinë do ta godasë një tërmet prej 6 ballësh të shkallës Rihter.

    Autoritetet kanë reaguar me shpejtësi në lidhje me lajmin, duke e hedhur poshtë si një “fake news” me qëllim për të sjellë panik mes qytetarëve.

    Ndaj lajmit të publikuar nga portali Syri.net ka reaguar kryeminsitri shqiptar, Edi Rama, i cili ka thënë se fajtorët do mbajnë përgjegjësi penale.

    Portali në fjalë e ka pranuar se nuk e ka pasur të konfirmuar lajmin. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!