×
  • Lajme
  • Lajme / Kritika kryeministrit

    “Raportet me SHBA në nivelet më të ulëta”, “Kosova meriton më mirë – dorëhiqu”, kritikat që sot opozita ia bëri Kurtit

    Reporteri
    26 Maj 2024 | 23:43

    Zyrtarë të partive opozitare të dielën kanë adresuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se me të në qeverisje raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të ulëta, ndërsa kanë kërkuar të japë dorëheqje, pasi thonë se Kosova meriton më mirë, shkruan Reporteri.net.

    Opozitarët e kanë akuzuar kreun e ekzekutivit se i ka mashtruar edhe pensionistët dhe i ka shndërruar ata në lypësarë.

    Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti ka kujtuar se para një viti Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i kishte dënuar veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri, ndërsa thotë se Republika e Kosovës është në nivelet më të ulta në raportet me SHBA-të gjatë këtij viti, shkruan Reporteri.net.

    “KOSOVA NËN SANKSIONE NDËRKOMBËTARE TASH E NJË VIT
    Blinken: “Këto veprime do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën” Si sot një vit, më 26 maj 2023, Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken pati dënuar vendimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri. Më tej Blinkeni pati tërhequr vërejtjen se “këto veprime (…) do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”. Katër ditë më vonë, më 30 maj 2023, duke folur përr gazetën britanike “The Guardian”, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i pati quajtur deklaratat e Blinkenit “naive”. Bashkëpunëtorja e tij, Donika Gërvalla-Schwarz e pati quajtur BE-në “tigër prej letre” në atë kohë. Po më 30 maj 2023, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, njoftoi se Kosova, më saktë FSK-ja, ishte përjashtuar nga stërvitja ushtarake e NATO-s “Defender ‘23”, si masë sanksionimi mbas zhvillimeve në veri të Kosovës”.

    “Dy javë më vonë, më 14 qershor 2023, të 27 vendet anëtare të BE-së vendosën unanimisht masa ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshinin, simbas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, “pezullim të vizitave të nivelit të lartë…si dhe të bashkëpunimit tonë financiar me Kosovën”. Janë bllokuar projekte/programe të BE-së për Kosovën në vlerë prej qindra milionë euro deri tani. Republika e Kosovës është në nivelet më të ulta në raportet me SHBA-të gjatë këtij viti. Po ashtu, tash e gati një vit me sanksione ndërkombëtare të miqve dhe aleatëve të vet. Këtë arritje Qeveria e Vetvëndosjes nuk i shënon. Pasojat e tyre i vuajnë qytetarët e Kosovës, pa dallim, si ata që e kanë votuar Qeverinë e Shpresës që po del të jetë Qeveri e Zhgënjimit, ashtu edhe ata që nuk e kanë votuar”, ka shkruar Hamiti.

    Ndërsa kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të japë dorëheqje dhe ta përfondojë mandatin qeveria e tij, pasi sipas tij do të ishte rast e mundësi për qytetarët, të zgjedhin tejkalimin e stagnimit ekonomik, ndalimin e degradimit të raporteve me aleatët dhe perspektivën euro-atlantike, shkruan Reporteri.net.

    Ai thotë se dorëheqja si akt moral për rrethanat e krijuara, nuk e ligë Kryeministrin.

    “Me këtë akt nuk mbaron bota. Prandaj, dorëheqja do të ishte akt edhe guximi, edhe vizioni të pambaruar në ofertën për qytetarët në zgjedhjet e parakohshme”, ka shkruar Lladrovci në Facebook, shkruan Reporteri.net.

    “Qeveria ta ketë në konsideratë interesin e Kosovës – të dorëhiqet
    Politika është përtej votave dhe ideve e bindjeve individuale. Mund të kesh idetë më të mira, por, të dështosh në menaxhim, në të kuptuar të rrjedhës së historisë, të politikës ditore edhe asaj strategjike të fuqive të mëdha. Ky dështim, sjell pasoja.
    Nëse vështrohet historia e re e Kosovës, dëshmohet se Kosova i takonte fati në fundshekull të përfshihej në të njëjtin tren, në kohë dhe drejtim me idetë shekullore të popullit tonë, në pajtim me rrjedhën e historisë dhe interesave të fuqive. U krijua UÇK-ja dhe bëri aleat, NATO-n. Synim i pabesueshëm, por, u arrit.
    Çlirimi i Kosovës solli edhe Pavarësinë, njohjen e mbi 115 shteteve, me institucione, Kushtetutë, sistem demokratik shembull në rajon. Sistem, sado i brishtë, ishte shembull demokracie. Asnjëra nga qeveritë e derisotme, nuk shfaqi etje e uri për pushtet. As qeveria aktuale nuk duhet të bëj përjashtim. Shteti e pushteti janë të çështje të ndryshme”.”Qeveritë e deritashme, nuk e përfunduan mandatin katërvjeçar, për shumë arsye, dhanë dorëheqje apo votuan për shpërndarje të parlamentit. Kujtojmë këtu koalicionin PDK-LDK me 86 vota, por, dha dorëheqje. Fundja, kjo qeveri, nuk i ka 86 numra dhe ende hamendësohet.
    Qeveritë e mëparshme të Kosovës, nuk e kryen mandatin deri në fund, dhe sigurisht, nuk e kishin të lehtë dorëheqjen, por e bënë. Çështje primare ishte Kosova, qëndrimi i tyre në pushtet i bënte keq Kosovës, dhe u tërhoqën. Pres që edhe kjo qeveri, ta ketë në konsideratë interesin e Kosovës.
    Stagnimit të Kosovës duhet t’i vije fundi. Qasja e re në politikën e brendshme dhe të jashtme do ndryshuar. Deri sa nuk u arritën asnjë nga qëllimet e programit të partisë në pushtet, dorëheqja është shenjë pjekurie. Dorëheqja e Kryeministrit nuk do të thotë shkuarje e menjëhershme në zgjedhje. Dorëheqja si akt moral për rrethanat e krijuara, nuk e ligë Kryeministrin. Me këtë akt nuk mbaron bota. Prandaj, dorëheqja do të ishte akt edhe guximi, edhe vizioni të pambaruar në ofertën për qytetarët në zgjedhjet e parakohshme”.”Kosova meriton më mirë, më shumë, më shpejtë dhe dorëheqja e Kryeministrit do të ishte rast e mundësi për qytetarët, të zgjedhin tejkalimin e stagnimit ekonomik, ndalimin e degradimit të raporteve me aleatët dhe perspektivën euro-atlantike. Anketat e dëshmuan se jemi populli me dashurinë më të madhe në botë për Amerikën, të tillë, do të ishte mirë ta kemi edhe Qeverinë. Mendimi im personal, është vlerë e shtetit që po ndërtojmë, madje, është pasojë e situatës për të cilën reflektoj si qytetar i devotshëm i Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.

    Kurse, deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se pushteti aktual, i ardhur në qeverisje me program social dhe anti-korruptiv, për këto tre-kater vjet vazhdon të jetë qeverisja më anti sociale dhe më e korruptuara. Dreshaj përmes një postimi ka thënë se pensionistët janë lënë jashtë agjendes qeverisëse dhe janë shndërruar në lypsarë.”Mashtrimi me pensionistët vazhdon!”.

    Pushteti aktual, i ardhur në qeverisje me program social dhe anti-korruptiv, për këto tre-kater vjet vazhdon të jetë qeverisja më anti sociale dhe më e korruptuara. Kategoria me vulnerabile, pensionerët, anashkalohet skajshëm. Pensionistët, lëre më që janë jashtë agjendës qeverisëse, janë shndërruar në lypsar, por edhe lëmosha që ju jepet, nuk harmonizohet me koston e jetesës. Deputetët e AAK-së e mbeshtetën me votë marrëveshjen ndërkombëtare për rregullimin e skemave sociale në vend, përkundër premtimit nga mazhoranca, kjo nuk ndodhi. Mashtrimi po vazhdon. Kjo qeveri mashtroi të gjithë, edhe votuesin. Të mashtroni ata që shpresuan se do të gëzojnë me pensionim pleqëri të dinjitetshme është më shumë se krim. Ky pushtet duhet të veprojë urgjent duke ua mundësuar shfrytëzimin e kontributeve meritorëve dhe duke i harmonizuar këto me koston e jetës. Nuk mbahet shteti e pushteti me nëpërkëmbje, represalje e shantazhe, por me respekt e nderim të atyre që me shumë sakrificë e sollen të sotmen. Pensionistët kanë nevojë për mbështetje!”, ka shkruar ai. /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!