×
  • Lajme
  • Lajme / Ambasadori gjerman

    Rohde: Nuk është bërë asnjë progres në tre vitet e fundit për personat e pagjetur për shkak të bllokadës politike

    Reporteri
    27 Prill 2024 | 13:53

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndjenë më shumë se keqardhje për faktin që s’është bërë kurrfarë progresi për 3 vitet e fundit në zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur për shkak të bllokadës politike.

    Rohde ka thënë se në ditën kombëtare të personave të pagjetur, bashkohet me familjet e personave të zhdukur. Rohde ka thënë se 25 vite pasluftës ende shumë fate të personave të pagjetur mbesin të panjohura dhe ka nevojë për shumë veprime.

    “Më shumë se keqardhje që nuk është bërë asnjë progres në 3 vitet e fundit për shkak të bllokadës politike”, ka shkruar ambasadori gjerman.

    Bajram Qerkini, nga organizata “Zëri i Prindërve”, në shënim të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë tha se procesi i gjetjes së personave të zhdukur ka stagnuar dhe duhet bërë më shumë, ndërsa kërkoi nga institucionet e vendit që të kenë informacione më të shpeshta për të pagjeturit në mënyrë që t’i informojnë edhe familjarët e tyre.

    “Brukseli me vendimet e veta duke thënë se duhet të jetë prioritet humanitar e ka stagnu komplet procesin e personave të pagjetur”, tha ai.

    Kurse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të aktiviteteve për shënimin Ditës Kombëtare të të zhdukurve me dhunë, priti në takim një grup të përfaqësuesve të familjarëve të personave të pagjetur në krye me Bajram Qerkini, drejtor i Qendrës Burimore të Personave të Pagjetur, njëherësh koordinator i Këshillit Koordinues të Asociacioneve familjare të të pagjeturve të Kosovës..

    E para e vendit theksoi se ndriçimi i fatit të të zhdukurve me dhunë është njëra ndër plagët më të rënda që ka Kosova edhe 25 vite pas luftës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!