×
  • Lajme
  • Lajme / Kushtëzimi

    Ambasadori italian në Serbi thotë se pa hapa konkretë drejt Asociacionit, nuk është momenti për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Reporteri
    09 Maj 2024 | 10:44

    Ambasadori i Italisë në Serbi, Luka Gori, ka thënë se nuk ka ardhur ende momenti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) dhe se duhet “progres esencial” në formimin e Asociacionit për t’u arritur një gjë e tillë.

    “Ky është pozicioni që ka marrë Italia bashkë me Francën, Gjermaninë dhe shtetet e tjera të BE-së dhe kjo është çfarë duam të arrijmë në Strasburg”, ka thënë Gori për “Tanjug”.

    Ambasadori shtoi se qëndrimi i Italisë është shumë i qartë dhe se Roma beson se Asociacioni është element kyç për procesin e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar dje se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës po kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Kryeministri Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

    Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore.

    Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Qeveria ka punuar parreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ne duam anëtarësim meritor. E meritojmë anëtarësimin në KiE pasi ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet e kërkuara. Anëtarësimin e shohim sidomos për nga përfitimet që sjell për qytetarët, veçanërisht për komunitetet joshumicë duke ju dhënë qasje në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Qeveria nuk e ka pranuar draftin e emisarit Miroslav Lajçak sepse ai është refuzuar me 26 tetor 2023, e dy ditë para kësaj unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut. Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë Bruksel dhe jo në Strasburg. Neni 7 dhe 10 nuk mund të nxirret jashtë marrëveshjes, si një çështje urgjente”, tha Kurti. /Reporteri.net/

    Kurti: Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacionin

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!