×
  • Lajme
  • Lajme

    Rusia i kërkon Serbisë të vendosë se ku përket, shkruan gazeta ruse e afërt me Kremlinin

    Reporteri
    15 Gusht 2022 | 12:26

    Gazeta ruse “Kommersant”, e afërt me pushtetin e Kremlinit, përmes një artikulli shkruan se “Rusia po kërkon nga Serbia ta ndajë mendjen” se ku qëndron – me Perëndimin apo Rusinë.

    Kjo si jehonë e deklaratës dhënë kohëve të fundit nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, se “Serbia nuk ka nevojë për baza ushtarake të askujt”, që erdhi si kundërpërgjigje ndaj ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Boçan Harçenko.

    Ky i fundit javë më parë në një prononcim për mediat e Moskës la të kuptohet se Rusia mund të ndërtojë një bazë ushtarake në Serbi.

    Gazeta ruse “Kommersant” deklarimin e Vuçiç e sheh si “të përmbajtur” që të mos përkeqësojë marrëdhëniet me Moskën.

    Mes tjerash, kjo gazetë citon burime të saj brenda strukturave të pushtetit në Beograd, se deklarimi “i kujdesshëm” i Vuçiç duhet të shihet në kontekstin e “bashkëpunimit të zgjeruar të kohëve të fundit  mes Serbisë dhe ShBA-së në bazën ushtarake jugore të Bujanocit”.

    Përveç kësaj, aty risjellet në vëmendje deklarata e presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko se “Serbia nuk mund të ulet më në tri karrige”, në  mes të BE-së, ShBA-së dhe Rusisë.

    Gazeta ruse citon gjithashtu fjalët e ish-diplomatit serb në Biellorusi, Sreçko Gjukiç, se “Serbia nuk mund të ulet më në tri karrige për kohë të gjatë dhe të bëjë politikë të Strucit, e të fshehë kokën nën rërë, sepse s’bën më kohë”.

    Serbia është i vetmi vend në kontinentin evropian, përjashto Biellorusinë, që nuk është bashkërenduar me perëndimin në sanksionet ndaj Rusisë, kështu duke e vazhduar politikën e saj ambivalente në mes të Perëndimit dhe Lindjes.

    Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim në BE, i kërkohet që të bashkërendojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë me unionin evropian, gjë që Serbia gjer më tani ka refuzuar ta bëjë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!