Termokos iu bën thirrje qytetarëve: Paguani borxhin ose do të pasojë shkyçja

Zyrtarë të kompanisë Termokos kanë bërë me dije se janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për sezonin e ri të ngrohjes, i cili do të fillojë më 15 tetor.


Ndërkohë, Termkos bëjnë me dije se borxhlinjtë kanë kohë një javë për t’iu paguar borxhet kompanisë.

Zëdhënësja e Termokos-it, Aferdita Uka, ka thënë se janë evidentuar edhe problemet që ishin paraqitur në sezonin e fundit, në ndonjërin prej objekteve banesore.

“Kanë filluar përgatitjet për sezonin e ri, sezonin e ardhshëm ngrohës, pra 2020-2021. Tani jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimi e këtij sezoni, gati se ka marrë fund edhe pastrimi në stacionin e ngrohjes, këtu që shpërndan ngrohje tek konsumatorët tanë, dhe tek nën stacionet ngrohëse nëpër objektet banesore kudo që është paraqitur ndonjë problem gjatë sezonës së fundit ngrohëse”, ka thënë ajo.

Uka ka thënë për KosovaPress se nuk do të ketë vonesa në fillimin e sezonit, dhe më 15 tetor Termokos-i do të jetë gati të fillojë sezonin.

“Si rrjedhojë e këtyre përgatitjeve, për herë të parë në rrjetin e ngrohjes do të kyçen Teatri Kombëtar, Ministria e Kulturës, shkolla “Xixëllonja”, shkolla “Mentor Bajraktari. Për pak ditë pritet të mbulohet edhe vendi ku janë vendosur gypat e rinjtë, ku janë ndërruar me gypat e vjetër që kanë qenë që nga funksionimi i ngrohtores qendrore që ka qenë që nga vitet e 70-ta, pra është një rrjet gati i stërvjetëruar, dhe janë vendosur gypa të ri me standarde ndërkombëtare nga kompania e kontraktuar e Komisionit Evropian, është pra një rrjet i ri i ngrohjes për Fakulteti Filologjik, Fakulteti Filozofik, Biblioteka Kombëtare, Rektorati e Universitetit të Prishtinës, komunën dhe disa institucione tjera. Kështu që, jemi në vijë të mbarë, pra do të presim se nuk do të ketë kurrfarë vonesa, dhe gjithçka po shkon sipas planit, varësisht nga lëvizjet e temperaturave besoj se do të jemi gati me 15 tetor të fillojë sezoni ngrohës”, ka deklaruar Uka.

Ndërsa sa i përket borxheve që janë ndaj Termokos-it, Uka ka paralajmëruar qytetarët që t’i shlyejnë borxhet që kanë ndaj kësaj ndërmarrje, përndryshe do t’i tërhiqen të hollat nga xhirollogaritë e personave.

“Që nga qershori i këtij viti pra në kohën kur janë lehtësuar masat për shkak të izolimit total, kemi filluar me shpërndarjen e vërejtjeve për gjithë ata që nuk kanë paguar sezonin e fundit apo sezonet e fundit dhe janë shpërndarë dikund 1700 vërejtje, pra para ngritjes së rastit tek përmbaruesit privat dhe normalisht ky është një afat ku ata duhet të reagojnë, përndryshe tërhiqen mjetet nga kontot e tyre bankare përmes përmbaruesve privat”, ka shtuar tutje ajo.

Uka shtoi se kjo është faza e dytë e shpërndarjes së këtyre vërejtjeve ngase për shkak të pandemisë, prapë nuk janë ekzekutuar gjatë muajve të verës.

“Për shkak të pandemisë është shtyre afati dhe deri më tani nuk ka pasur ekzekutim të këtyre padive, ndërsa tani është faza e dytë, dhe nëse konsumatorët nuk do të paguajnë faturat, do të pasojë shkyçja nga rrjeti i ngrohjes”, ka përfunduar ajo.

Ndërsa sa i takon shlyerjes së borxhit ndaj Telkos, konsumatorët kanë afat brenda shtatë ditësh.