×
  • Lajme
  • Lajme

    Vdes në moshën 91 vjeçare ish-komisarja e lartë e OKB-së, shërbeu edhe në Kosovë

    Reporteri
    29 Tetor 2019 | 11:03

    Sot në moshën 91 vjeç ka ndërruar jetë Znj. Sadako Ogata. Ogata ishte një akademike japoneze, diplomate, autore e publikimeve të ndryshme si dhe profesor emeritus në Sophia University. Në karrierën e saj të gjatë dhe të suksesshme që lidhen me kontributin e saj të dhënë për njerëzimin e në veçanti për Kosovën ishin dy pozita që veçohen:


    Si Komisionere e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) që nga viti 1991 deri 2001, duke qenë njohëse e mire e politikës ndërkombëtare, ajo ka përkrahur përfshirjen e forcave ushtarake në operacionet humanitare për të ndihmuar refugjatët, këtu duke përkrahur edhe ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për shpëtimin e jetëve të civilëve në Kosovë.

    Në tryeza, seminare, konferenca dhe takime të ndryshme, znj. Ogata ka përmendur vuajtjet që po kalonin qytetarët e Kosovës. Gjatë mandatit të saj si Komisionere e lartë për refugjate te KB-së, me raportimet e saj ajo ka alarmuar dhe sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për fluksin e refugjatëve, spastrimin etnik dhe luftën për mbijetesë me të cilën po përballeshin qytetarë të pafajshëm në ish Jugosllavi. Gjate kohës se luftës në Kosovë (1998-99), në disa raste, vetë prania e znj. Ogata në rajonet e Kosovës ka ndihmuar popullatës që të mos garantohen nga forcat serbe, që ishin te pamëshira në situatën e rëndë. Përmes zërit te saj apelues e kritik për ngritje të kapaciteteve dhe shtim të mjeteve në UNHCR e organizata tjera humanitare, është bërë i mundur pranimi dhe akomodimi i pothuajse 1 milion refugjateve të deportuar në vendet fqinje.

    Si Presidente e JICA-s në periudhën 8-vjeçare 2003-2012, znj. Ogata është angazhuar që Japonia të jetë ndër shtetet më të mëdha kontribuese ndaj Kosovës, si në fazën emergjente humanitare te pasluftës, ashtu edhe në periudhën e rindërtimit e të zhvillimit të vendit tonë. Gjithashtu, pas pavarësisë gjatë mandatit të saj, pjesërisht edhe falë admirimit dhe simpatisë së saj për Kosovën, janë marrë edhe vendimet për dhënien e grantit të parë Kosovës në formë të mbështetjes së projektit për menaxhimin e mbeturinave në zonën e Prizrenit në vlerë prej rreth 5 milionë EUR, dhe pastaj për blerjen e instrumenteve për Filharmoninë e Kosovës në vlerë prej rreth 600 mijë EUR.

    Me propozimin e Ambasadorit të parë të Kosovës në Japoni z. Sami Ukelli, reapektivisht me aprovimin e zyrës së Presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi, znj. Sadako Ogata është zyrtarja e parë së cilës shteti i Kosovës i ka njohur kontributin zyrtarisht. Në vitin 2017, znj. Sadako Ogata ka pranuar Medaljen “Nënë Tereza”, medalje kjo që ju akordohet personave për kontributin e tyre në fushën e humanizmit dhe çështjeve të paqes. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!