×
  • Lajme
  • Lajme

    VV: Nuk do të protestojmë nesër, por nuk i dekurajojmë qytetarët që ta bëjnë këtë

    Reporteri
    02 Qershor 2020 | 21:06

    14Lëvizja Vetëvendosje sot ka mbajtur një mbledhje të përbashkët të kryesisë dhe Grupit të saj Parlamentar.


    Në një njoftim në faqen e tyre zyrtare, nga VV thonë se protestat po bëhen të pashmangshme por megjithatë, ata nuk do të organizojnë protestë nesër, shkruan Reporteri.net.

    Ata po ashtu kanë bërë të ditur se nuk dekurarojnë protestat tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve, duke aluduar në protestën gjithpopullore të thirrur më 5 qershor.

    Në mbledhjen e VV-së po ashtu thuhet se u kritika ashpër aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese.

    Sipas tyre, ky aktgjykim e vulosi këtë gjykatë si të kapur edhe më fort se shtetin në përgjithesi.

    Tutje në njoftim thuhet se në mbledhje u kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër.

    Ky është njoftimi i plotë:

    Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka mbajtur sot një mbledhje të përbashkët të Kryesisë me Grupin e saj Parlamentar. Aty u diskutua situata politike në Kosovë, sidomos zhvillimet e fundit.

    U kritikua ashpër Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese që e vulosi këtë Gjykatë si të kapur, madje edhe më fort se shteti ynë në përgjithësi. Përjashtimi edhe i zgjedhjeve edhe i fituesit është i pashembullt dhe e bën këtë Aktgjykim të padrejtë e të papranueshëm.

    U vlerësua mbështetja e madhe e qytetarëve, puna e mirë e Qeverisë në detyrë, dhe organizimi nga aktivistët i peticionit “Duam Zgjedhje!”. Duket qartë se ky peticion do t’i thyejë të gjitha rekordet duke u bërë peticioni më i madh në Kosovën e pasluftës.

    U kundërshtua tentimi për qeveri të re pa zgjedhje të reja nga regjimi i vjetër. Kjo qeveri do të ishte qeveri e presidentit. Ajo nuk do të ngërthente as 1/3 e mbështetjes qytetare elektorale dhe do të varej komplet nga Lista Serbe. Asisoj, negociatat brenda-qeveritare të saj do të bëheshin negociata ndër-shtetërore me Serbinë.

    Protestat po bëhen të pashmangshme. Megjithatë, LVV nuk do të organizojë protestë nesër. Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve.  /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!