×
  • Lajme
  • Lajme

    Xhavit Haliti insiston që PDK duhet të hyjë në qeverinë Hoti, tregon arsyet

    Reporteri
    12 Gusht 2020 | 15:26

    Ish-deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, po insiston që partia e tij duhet të hyjë në qeverinë Hoti, ndërsa ka numëruar disa arsye për këtë.


    Sipas Halitit disa prej arsyeve janë: pandemia COVID-19, dialogu me Serbinë, ndalimi i njohjeve të shtetit të Kosovës, tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe Gjykata Speciale, shkruan Reporteri.net.

    Ky është postimi i tij i plotë:

    Mendimi i lirë i individit është pjesë e rëndësishme e demokracisë. Në PDK askush s’e penalizon askënd për mendimin e shfaqur publikisht.

    Si çdokund tjetër ku kërkohet dhe më jepet rasti të flas për probleme të caktuara të sferës politike, mendimi im është i hapur edhe në organet e PDK-së. Demokracia nuk është anarki, por është diktaturë e ligjit, rregullave, statutit, e Kushtetutës. PDK, pas debatit në organet e saja, të gjitha vendimet i merrë me konsensus ose me shumicën e votave, të cilat çdo herë i kam respektuar dhe do t’i respektoj edhe në të ardhmen.

    Pyetja që shtrohet shpesh këto ditë, për sa i përket koalicionit qeverisës: të hyjë PDK-ja ose jo? Edhe në këtë rast unë e kam mendimin tim. Kosova është në udhëkryq të madh për shumë arsye.

    Po i numëroj disa, pa e bërë kategorizim sa i përket rëndësisë së tyre:

    – Pandemia COVID-19;
    – Dialogu me Serbinë;
    – Ndalimi i njohjeve të shtetit të Kosovës;
    – Tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës;
    – Gjykata Speciale.

    Shto këtu edhe ekonominë e dobët; arsimimin që lë për të dëshiruar; shëndetësinë, papunësinë; korrupsionin; nepotizmin; organet e sigurisë; integrimin në institucionet ndërkombëtare; aleancat strategjike me SHBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe etj., politika e jashtme… që të mos i numëroj të gjitha me radhë.

    Të gjitha këto çështje kërkojnë politikbërje të përgjegjshme shtetërore dhe jo individë apo koalicion të brishtë si ky që e kemi.

    Për t’u përballur me të gjitha këto probleme duhet të kemi një koalicion të madh me politikanë e ekspertë të mirë e të përgjegjshëm.
    Duke besuar në fuqinë e PDK-së, te ekspertët dhe te politikanët e saj, mendoj se duhet bashkuar (sipas një marrëveshjeje) së pari me LDK-në, e edhe me partitë tjera për të qeverisur me vendin, për t’u përballur me çështjet që duhet t’i zgjedhim. Prandaj edhe po kërkoj që të lihen interesat personale për interesin e vendit dhe të të gjithë qytetarëve.

    https://www.facebook.com/xhavithalitii/photos/a.508726199189098/3482371665157855/?type=3&__xts__%5B0%5D=68.ARD1PZOVGhGnxEqmHqDEYzg3ak7HxqcmGSFvyZ7GcSXtYyBM7E8ZLLOVKFBZ-StcP5PaNPJZ3dXTozAXTY3uHJdTai7ukwa_EG5KrWzPhCOv4bwAielkQ5SmU8IUyousGny090nhBCPmTdppKZNCH_mmNlT44UHeWcYgJq83VoWW-U7jgWfbyYtA-1TkjZOAoJ7rW5ooXib4iJaKQkUOa33S_KlUn3pJlOPRZ7KWnL48smtyObGuHMvv9Mey1vum7z-HEARjauDyTRux4pgrAtV2N9yPlMgPMT-3uVgM9jerDNhpi_8mwaYipKt6H8xmOT6pR1uMLHOOEIVcV1JoLbpE0w&__tn__=-R

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!