×
  • Prospect
  • Prospect

    Dëshira për t’u përshtatur, rrënja e të gjitha keqbërjeve

    Reporteri
    05 Shtator 2022 | 16:24
    Thomas Moynihan duke u abuzuar në kazermat e paraburgimit Wanganui, Zelandë e Re, 1918. Arkivat e fotove: Zelanda e Re/Flickr

    Autor: Christopher Freiman


    Paramendojeni veten që një ditë ju rastis të gjeni një unazë që ju jep fuqi magjike. Me këtë unazë në gisht, ju mund të zaptoni presidencën, të vidhni Fort Knox-it dhe përmenjëherë të bëheni personi më i famshëm në planet. A do ta bënit?

    Lexuesit e Shtetit të Platonit e njohin këtë eksperiment mendor. Për Platonin, njëra nga problemet qendrore të etikës është shpjegimi se pse duhet prioritizuar virtyti moral mbi pushtetin ose paranë. Nëse çmimi i eksploatimit të ‘Unazës së Gyges’ – të veprosh keq – nuk ia vlen shpërblimit material, atëherë moraliteti përligjet.

    Vëreni se Platoni supozon se ne i shmangemi shtigjeve morale përmes të qënit të tunduar nga përfitimet personale – prandaj ai edhe provon të dëshmojë se virtyti është më i vlefshëm se sa ari i fituar përmes vesit. Nuk e bën vetëm ai këtë supozim. Te Leviatani (1651), Thomas Hobbes shqetësohet në justifikimin e moralit te ‘i marri’ që thotë se “nuk ka gjë të tillë si drejtësia” dhe e then fjalën kur punën e ka te avantazhi i tij. Dhe, kur mendon për arsyet tona për të preferuar virtytin mbi vesin, në veprën Hulumtim në lidhje me Parimet e Moralit (1751), David Hume ballafaqohet me “horrin e ndjeshëm”, një person i tunduar të bëjë keq kur paramendon se “një veprim i ligë e i pabesë do t’i kontribuojë një shtojcë të konsiderueshme pasurisë së tij”.

    Disa nga filozofët më të mëdhenj të historisë, pra, pranojnë se keqbërja ka tendenca të jetë e motivuar nga interesi vetjak. Për fat të keq, unë nuk jam prej filozofëve më të mëdhenj të historisë. Edhe pse shumica supozojnë se një person i pamoralshëm është një dikush i gatshëm për të shpërfillur ligjin dhe konventat për të arritur çfarë dëshiron, mendoj se e kundërta është e vërtetë. Imoraliteti shpesh motivohet nga një gatishmëri për t’i qëndruar konform ligjit dhe konventës përkundër vlerave tona vetanake. Në këso rastesh, nuk është se shqetësohemi shumë pak për të tjerët; por se shqetësohemi për së tepërmi. Më specifikisht, shqetësohemi se si paraqitemi në sytë e të tjerëve.

    Të bëjmë gjënë e gabuar, për shumë prej nesh, është tepër e kotë. Nuk është të uzurpojmë pushtet politik ose të vjedhim miliona dollarë. Por, është të bashkohemi nervozisht në refrenin e të qeshurave të shakasë fyese të kolegëve ose të gënjejmë prindërit për politikën tonë për t’i marrë me të mirë në darken e Ditës së Falënderimeve. Ne ‘ecim tutje për të ecur tutje’ në rezistencë ndaj asaj se çfarë në të vërtetë vlerësojmë ose besojmë sepse s’duam telashe. Immanuel Kant këtë qëndrim respektimi eksesiv e quan servilitet. Në vend se të hedh poshtë vlerat dhe zotimet e të tjerëve, seviliteti përfshinë poshtërimin e vlerave dhe përkushtimeve vetanake në relacion me ato të të tjerëve. Personi servil kësisoji është pasqyra e imoralistit konvencional dhe vetë-interesgjiut që e gjejmë te Platoni, Hobbes-i dhe Hume-i. Në vend se të shqel në këdo që i zë rrugën dhe ashtu të merr atë çfarë do, servili, në fjalët e Kantit, është dikush “që veten e bën krimb” dhe kësisoji “nuk mund të ankohet pastaj po qe se njerëzit shkelin mbi të”.

    Kanti mendon se obligimi themelor moral i yti është të mos trajtosh njerëzimin si mjet. Kur bëni një premtim të rremë se do t’i shpaguani huatë ose kërcënoni dikë se nëse s’ta dorëzon kuletën, ju po e trajtoni viktimën si mjet. Po e përdorni atë si një vegël që ekziston vetëm për t’i shërbyer qëllimeve tuaja, duke mos e respektuar si person që ka vlerë në vetvete.

    Por, Kanti thotë se as veten tuaj nuk duhet ta trajtoni si mjet. Kjo pjesë e imperativit kategorik të tij merr më pak publicitet se sa injuksioni i tij kundër keqtrajtimit të tjerëve, por nuk është më pak e rëndësishme. Thomas Hill, një filozof në Universitetin e Karolinës së Veriut, në veprën e tij Autonomia dhe Respekti ndaj Vetes, (1991) shënon se serviliteti përfshinë një supozim të gabuar për statusin moral të vetes. Në mënyrë vendimtare, personi servil është i fajshëm për gabimin e njëjtë rrënjësor sikur personi që mashtron ose kërcënon të tjerët – përkatësisht, duke mohuar barazinë themelore morale të të gjithë njerëzve. Vetëm se këtu, personi që po ju degradon jeni ju. Por, sjellja servile neglizhon faktin se juve ju takon po i njëjti respekt që u takon edhe të gjithëve.

    Tani, ju mbase po mendoni se të gënjesh për mendimin tuaj ndaj Donald Trump sa për t’ju shmangur konfrontimeve me prindërit tuaj e që të hash në paqe salcën e boronicës nuk është punë e madhe. Në rregull. Por, serviliteti mund të shkaktojë shumë transgresione më të errëta morale .

    Merreni studimin më të famshëm psikologjik të shekullit të 20’të: Eksperimentin e bindjes të Stanley Milgram. Milgram zbuloi se shumica e subjekteve të tij do të jepnin goditje shoku elektrik – nganjëherë çaftësuese ose vdekjeprurëse – ndaj viktimave të pafajshme kur një eksperimentues ua kërkonte këtë gjë. Në ‘Rreziqet e Mosbindjes’ (1973) Milgram shpjegoi se njëra nga arsyet se pse subjekti tipik vazhdon me autoritet keqdashës është sepse ai “ka frikë se do të paraqitet (ose duket) arrogant, i pafavorshëm, dhe i pasjellshëm nëse nuk e bën”. Përkushtimi i subjekteve ndaj mirësjelljes i tejkalonte përkushtimet e tyre ndaj ndershmërisë themelore morale. Dhe, shumë prej nesh jemi më të ngjashëm me subjektet e Milgramit se sa ç’mund t’ia pranojmë vetes: ne nuk duam të tregohemi arrogantë, të pasjellshëm ose të vrazhdë në tryezën e darkës, në klasë, në takim pune. Prandaj, i përpijmë kundërshtimet tona, dhe veten e lëmë – por, edhe të tjerët – të shkelin mbi ne.

    Pasojat e dëmshme të servilitetit nuk mbyllen vetëm brenda laboratoreve, aspak. Në të vërtetë, eksperimenti i Milgram u motivua pjesërisht nga dëshira e tij për të kuptuar se si njerëzit dukshëm-të-zakonshëm mund të kenë participuar në horroret morale të Holokaustit. Kohëve të fundit, dhuna ushtarake në Abu Ghraib u shpjegua pjesërisht nga socializimi i ushtarëve në konformitet. Këto shembuj dhe reflektime mbi jetët tona shpalosin në mësim të nënvlerësuar moral. Nuk është gjithnmonë, ose zakonisht, çështja se bëjmë keq sepse na mungon respekti ndaj të tjerëve. Shpesh, është sepse na mungon respekti ndaj vetes.

    Christopher Freiman është profesor i asocuar i Filozofisë në William&Mary University. Interesat e tij shkencore janë teoria demokratike, drejtësia distributive dhe çështjet e imigracionit.  Ai është autori i veprës “Unequivocal Justice” dhe “Why It’s OK to Ignore Politics”.

    *Teksti është përkthyer nga gazeta online Reporteri.net nga eseu origjinal “The desire to fit in is the root of almost all wrongdoing” i filozofit Christopher Freiman.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    Prospect

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!