×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Basha porosi për Berishën: Nuk duhet krijuar ideja se jemi përçarë, në mbledhje munguan kritikët

    Reporteri
    14 Shtator 2021 | 12:59

    Më pak se një javë nga vendimmarrja për të përjashtuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së pas shpalljes non grata, kreu i selisë blu ka vendosur që të mos heshtë më në lidhje me këtë vendimmarrje.


    Mëngjesin e së hënës, kreu i selisë blu thirri në parti Kryesinë e Grupit Parlamentar.

    Burime nga brenda mbledhjes bëjnë me dije se kreu i selisë blu i porositi që të mos shmangnin më mediat në lidhje me çështjen Berisha.

    Po të njëjtat burime bënë me dije se argumentimi i vendimmarrjes duhet të mbështetet te deklarata që bëri Basha ditën e enjte.

    “E shpreha edhe dy ditë më parë, që po e përcjell me shumë keqardhje gjuhën e përdorur nga z. Berisha pas vendimit të detyruar për ta larguar atë përkohësisht nga Grupi Parlamentar. Është momenti që secili nga ju të mos u shmanget mediave dhe interesit publik për këtë çështje. Të sqarojmë se vendimi ishte i pashmangshëm dhe i detyruar, ndaj edhe demokratët të sqarohen që të mos krijohet asnjë përshtypje se demokratët janë të përçarë, ose akoma me tepër që ka dy grupe kundër njëri-tjetrit”, u tha Basha të besuarve që thirri në mbledhje.

    KRITIKËT

    Ndërkohë, në mbledhjen e paradites së djeshme ra në sy mosprezenca e disa deputetëve, të cilët janë pjesë e kryesisë së vogël. Bëhet fjalë për Luçiano Boçin, i cili është nënkryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, Oerd Bylykbashi që është nënkryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Albana Vokshi, e cila është kryetare e Komisionit të Shëndetësisë si dhe Flamur Noka, që është nënkryetar i Komisionit të Sigurisë.

    E përbashkëta e të gjithë këtyre anëtarëve të kryesisë së vogël është fakti se në mbledhjen e orëve të vona të ditës së enjte kur Basha përjashtoi Berishën, që të gjithë përmes argumenteve kritikuan vendimmarrjen e Bashës.

    Deputeti i Elbasanit, Luçiano Boçi, i cili në 25 prill u bë deputet përmes votave preferenciale, tha në mbledhjen e ditës së enjte se përjashtimi i Berishës është të fshish një pjesë të historisë së Partisë Demokratike.

    Ndërsa Oerd Bylykbashi, i cili është edhe ekspert i Çështjeve Zgjedhore, kritikën e tij e fokusoi te procedura e ndjekur nga kryedemokrati Basha për përjashtimin.

    Bylykbashi i kujtoi kryedemokratit Basha se duhet të ishin pyetur strukturat për një vendim të këtij niveli. Ndërkohë, vendimmarrja individuale krijon përçarje si te baza e Partisë Demokratike, ashtu edhe te lidershipi.

    Ndërsa për deputeten Albana Vokshi, nuk dihet nëse ka pasur një ftesë për në mbledhje, pasi ajo ndodhej jashtë Shqipërisë dhe nuk mori pjesë as në mbledhjen parlamentare të ditës së djeshme.

    Ndërkohë, Flamur Noka është pozicionuar në krah të Sali Berishës që prej ditës së parë të vendimit dhe në mbledhjet parlamentare që janë zhvilluar deri më tani. Duket se kritikat e deputetëve në mbledhjen e parë pas vendimit të Bashës kanë thyer edhe besimin e tij për të mbrojtur vendimmarrjen në opinionin publik.

    Sakaq, porositë që kanë qenë për kryesinë e vogël të PD-së nuk janë përçuar edhe te Grupi Parlamentar, çka nënkupton që aprovimin për të folur për çështjen Berisha e kanë anëtarët që ishin në mbledhje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!