×
  • Lajme
  • Shqipëria

    “Një hap për Durrësin”, qindra sportistë vrap sensibilizues për të prekurit nga tërmeti

    Reporteri
    23 Shkurt 2020 | 17:53

    Maratona “Një hap për Durrësin” është zhvilluar ditën e diel si një aktivitet sensibilizues për të prekurit nga tërmeti i 26 nëtorit 2019.


    Maratona nisi në sheshin “Liria” dhe kishte një itinerar prej 5 km. Ky marshim sensibilizues i organizuar nga atletja durrsake Deborah Keçi dhe mbështetur nga Bashkia e Durrësit dhe më shumë se çdo herë tjetër kishte shumë pak rendësi nëse ecën apo vrapon, nëse arrin i pari apo i fundit, për sa kohë bëhemi bashkë dhe hedhim një hap përpara.

    Me këtë moto qindra sportistë e qytetarë nga Durrësi, nga i gjithë vendi, nga Kosova por edhe të huaj vrapuan në një aktivitet që nuk ishte vetëm sportiv e sensibilizim për një jetë aktive, por edhe një solidarizim për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

    Pjesëmarrësit u nisën nga bulevardi drejt disa rrugë kryesore të Durrësit për të përfunduar sërish në sheshin Liria ku u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së medaljeve të fituesve si dhe një koncert live për qytetarët. Fituesit e kësaj maratone ishin Elsuida Loca për femra dhe Haxhi Berisha për meshkuj. Të ardhurat e grumbulluara nga kjo maratonë do të shkojnë për rikonstruksionin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti.

    Në këtë event kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme si nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri, zv/ministri i arsimit, Olti Rrumbullaku, rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, drejtoresha e zyrës vendore arsimore, Jonida Matohiti, drejtori i autoritetit portual, Pirro Vengu, atletja kampione Luiza Gega, kreu i sindikatës së futbollistëve, Andi Lila, të cilët u kanë dhënë edhe medaljet fituesve të kësaj maratone.

    Për organizmin e maratonës policia njoftoi bllokimin e disa akse rrugore për të siguruar mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Nga ora 9:30 deri në orën 11:00 u bë bllokimi i disa rrugëve

    1-Rruga Taulantia

    2-Rruga Epikadeve

    3-Rruga Anastas Durrsaku

    4-Bulevardi Epidam

    5-Bulevardi Dyrrah

    6-Rruga Hazif Podgorica

    7-Rruga Dëshmorëve

    8-Rruga Aleksandër Goga

    Gjithçka iu kthyer normaliteti për qarkullimin e mjeteve pas përfundimit të maratonës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!