×
  • Sport
  • Sport

    Metro: Agim Ademi në panik e hap thesin e pareve, 150 mijë euro i dalin FC Gjilanit

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 17:00

    Nuk kanë të ndalur raportimet për skandalet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) në krye me kryetarin e saj, Agim Ademi. 

    Gazeta Metro raporton se Ademi ka filluar të hyjë në panik dy ditë para Kuvendit të Jashtëzakonshëm që do të mbahet për ndryshimin e Statutit të FFK’së, i cili më së shumti i përshtatet atij dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.

    Siç shkruan Metro, përmes burime të saj, ka mësuar se më datën 10 janar FFK ia ka transferuar 150 mijë euro klubit të Superligës, Gjilani.

    Raportohet se transferimi i të hollave është bërë në katër rata. Rata e parë (75 mijë euro), rata e dytë (40 mijë euro), rata e tretë (20 mijë euro) dhe rata e katërt (15 mijë euro).

    Të gjitha pagesat janë kryer më datën 10 janar dhe alokimi i këtyre mjeteve nuk ka kurrfarë përshkrimi.

    Por, të njëjtat burime tregojnë se kjo duket të jetë mobilizim i kryetarit Agim Ademi, për blerje të përkrahjes si pasojë e kundërshtimeve që kanë rrjedhur me (mos) licencimin e FFK’së nga Ministria e Sportit dhe frika e Ademit për inicim të shkarkimit të tij.

    Në anën tjetër, përveç Draft Statutit që FFK’ja pret të miratohet të premten, ngjarje që ka shkaktuar bujë të madhe kohëve të fundit ka qenë edhe (mos) licencimi i saj nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive.

    Nga një moslicencim i mundshëm i FFK’së siç dihet më së shumti penalizohen klubet të cilat pastaj nuk mund të përfitojnë nga Ligji i Sponsorizimit.

    Komisioni kishte vlerësuar se lista e kushteve që nuk i ka plotësuar FFK’ja është shumë e gjatë, ku ndër të tjera mungojnë edhe dëshmitë gjyqësore që i kërkojnë ata.

    Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme Gazeta Insajderi raportoi se një seri bonusesh të majme janë shpërndarë për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK’së.

    Sipas asaj që është raportuar këto transaksione po i heton edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Në këtë denoncim, janë dhënë të gjitha detajet e transaksioneve në vlera dhjetëra-mijëra euro që janë shpërndarë tek anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, pagesa në emër të bonueseve që kalojnë në pagesat e rregullat që këta punonjës të FFK’së marrin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!