Bartomeu: Askush në Barcelonë s’e ka ndërmend të japë dorëheqje

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka ripërsëritur se askush në administratën e tij nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje, aq më pak ai vetë, pavarësisht presionit të shtuar për shkak të mocionit të mosbesimit kundër tij.


Bartomeu ka mandat në krye të klubit katalonas deri në fillim të vitit 2021 dhe e ka bërë të qartë se do ta mbajë postin deri në fund, transmeton Gazeta Express.

“Askush nuk po planifikon të japë dorëheqje në këto çaste”, tha Bartomeu për TV3.

“Bordi do të vazhdojë të punojë për ta bërë ekipin sa më konkurrues. Klubi nuk ndalet, sepse ne do të vazhdojmë të punojmë dhe kemi shumë gjëra që na presin t’i bëjmë”, shtoi ai.

Tifozët dhe anëtarët e klubit e arritën numrin e kërkuar të nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj Bartomeu dhe bordit të tij, gjë që e ka habitur edhe vetë presidentin.

“Kjo shifër i ka habitur edhe ata që e nisën mocionin. E përsëris, askush nuk dëshiron të japë dorëheqje, sepse të gjithë jemi të përqendruar në udhëheqjen e klubit çdo ditë”, theksoi ai.