×
  • Sport
  • Sport

    Dita e derbit të Gjilanit, në një ndeshje ku vetëm fitorja iu nevojitet skuadrave

    Reporteri
    29 Nëntor 2020 | 9:38

    Gjilani dhe Drita zhvillojnë sot derbin e dytë të këtij edicioni, ku pikët kanë vlerë të jashtëzakonshme për dy skuadrat.


    Kalkulime nuk pritet të ketë sepse barazimi eventual sot i mundëson Ballkanit të shkëputet edhe më shumë në krye të klasifikimit, andaj bardhekuqët dhe bardhekaltërit do të luajnë vetëm për fitore.

    Drita futet më e relaksuar në derbi pasi që është në vendin e dytë me 27 pikë, tri më tepër se Gjilani që është në pozitën e katërt me 23 pikë, e që ka një ndeshje më tepër të zhvilluar.

    Derbi i parë i këtij edicioni i zhvilluar më 18 dhjetor përfundoi në paqe pasi dy skuadrat luajtën baras 0-0.

    Mungesa më e madhe te Drita në këtë takim do të jetë ajo e Faton Malokut i cili nuk ia ka dalë, ndërsa te Gjilani janë të kompletuar për këtë takim.

    Kryendeshja e xhiros së 15-të i është besuar gjyqtarit të ri por shumë perspektivë, Dardan Çakës dhe fillon prej orës 13:30.

    Gjysmë ore më herët fillon dueli tjetër i ditës ndërmjet Feronikelit dhe Trepçës ’89.

    Takimi në Drenas drejtohet nga Vigan Ibërdemaj.

    Të dy ndeshjet transmetohen nga Art Sport, derisa derbin gjilanas mund ta ndiqni edhe në Klan Kosova.

    SUPERLIGA – SOT

    13:00 Feronikeli – Trepça ‘89
    Gjyqtarë: Vigan Ibërdemaj, Fatlum Berisha, Bujar Selimaj, Ilir Mehmeti.

    13:30 Gjilani – Drita
    Gjyqtarë: Dardan Çaka, Elvis Bicaj, Imran Kabashi, Valbon Hoxha.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!