×
  • Sport
  • Sport

    Nuk e ftoi Kosova, futbollisti i talentuar i thotë ‘PO’ Shqipërisë

    Reporteri
    15 Dhjetor 2019 | 21:30

    Rezultatet e jashtëzakonshme që Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur në futboll kanë bërë bujë kudo nëpër botë.


    Pas pranimit të Kosovës në instancat më të larta të futbollit të FIFA-s dhe të UEFA-s, fillimisht ishte e vështirë për trajnerët të sillnin futbollistë, sidomos ata që luanin në Evropë.

    Por kur kanë kaluar tre vjet të mbushura me rezultate pozitive, shumë futbollistë shpresojnë ta veshin fanellën e “Dardanëve”.

    Jo vetëm te Përfaqësuesja A, por edhe te grup-moshat e reja të Kosovës ka shumë interesim nga futbollistët për të qenë pjesë e tyre.

    Rast konkret është edhe 16-vjeçari Eron Ademi, i cili momentalisht jeton dhe luan futboll në shtetin e Belgjikës.

    Ademi fillimisht e ka nisur karrierën në Ligën e Tretë të Belgjikës, derisa më pas është ftuar edhe nga grup-mosha U-15 të Belgjikës.

    Futbollisti i talentuar nga Kosova më pas filloi të luajë te grup-mosha U-16 e skuadrës belge Lommel Sk, ku ishte i pafat për arsye se pësoi një lëndim serioz duke munguar 11 muaj.

    Ademi momentalisht luan te skuadra Sporting Hasselt, ku kampionatin e ka përfunduar me 17 gola dhe 13 asistime në 16 ndeshje, derisa shumë shpejtë pritet që ai të ndërrojë ambient.

    Përderisa Kosova ende nuk i ka dërguar ftesë, Ademi e ka marrë një vendim të madh për të ardhmen e tij në nivel ndërkombëtar, duke qenë se ai ka pasur edhe ftesa nga grupmoshat e reja të Kombëtares së Shqipërisë.

    Siç bëjnë të ditur burimet e afërta të Zëri.info me futbollistin e talentuar nga Kosova, ai ka pranuar ftesën e Shqipërisë U-17, grupmoshë me të cilën tashmë është grumbulluar.

    Në grumbullimin e tij të parë me grupmoshat e reja të Shqipërisë, Ademi la gjurmë të mëdha në ndeshjen e djeshme ku bëri dy asistime si dhe ishte ndër më të mirët në fushën e lojës.

    Futbollisti i talentuar nga Shtimja ka qenë më parë i grumbulluar edhe me grupmoshat e reja të Belgjikës, por dëshira e tij më e madhe ka qenë ta përfaqësojë Kosovën, nga e cila ende nuk ka marrë ftesë, andaj ai ka zgjedhur Shqipërinë, vendim për të cilin është krenar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!