Fermerët së shpejti do të mund t’i sigurojnë produktet bujqësore

Pothuajse për asnjë vit fermerët dhe bujqit kosovarë nuk mund t’u shpëtojnë dëmeve, të cilat u shkaktohen nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore.
Ata tash e një kohë të gjatë kërkojnë që t’u krijohet mundësia e sistemit të sigurimeve të produkteve bujqësore, në mënyrë që t’u kompensohen mjetet, raporton KTV.

Pikërisht realizimin e një sistemi të tillë të agro-sigurimeve, Ministria e Bujqësisë po planifikon që brenda këtij viti ta nisë së aplikuari.

Sipas kësaj ministrie, sigurimi i produkteve bujqësore është një mundësi e mirë dhe më e qëndrueshme sesa fondi prej 500 mijë euro që e ka kjo ministri për kompensimin e dëmeve.

‘Në plotësim-ndryshimin e ligjit tq Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, kemi paraparë krijimin e këtij sistemi të sigurimeve bujqësore, pastaj në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë kemi fillu përgatitjet e një njësie të veçantë për menaxhimin e rriskut i cili do të kontrollojë dhe mbikëqyrë funksionimin e këtij sistemi”, tha Johona Shyti nga Ministria e Bujqësisë.

Javën e ardhshme, kjo ministri do të nënshkruajë edhe një marrëveshje me Bankën Botërore lidhur me këtë çështje.

Ndërsa janë 12 kompani të sigurimeve, të cilat tashmë kanë paraqitur produktet e tyre të këtyre sigurimeve.

‘Produktet e sigurimeve bujqësore i ofrojnë kompanitë e sigurimeve. Janë 12 kompani të sigurimeve të cilat tashmë janë të gatshme që të bashkëpunojnë në këtë drejtim dhe të ofrojnë produkte për sigurime bujqësore”, tha Shyti.

Nga ana tjetër, bujqit dhe fermerët e kanë mirëpritur një iniciativë të tillë, pasi sipas tyre, sigurimet bujqësore janë një siguri më e madhe për ta.

Në fillim të këtij procesi, Ministria pritet që t’i ndihmojë fermerët me anë të premiumeve, ndërsa shpresojnë që edhe komunat do të japin kontributin e tyre.

Ndalohen komentet që përmbajnë gjuhë denigruese dhe fjalë ofenduese ndaj individëve dhe ndaj grupeve specifike, si dhe komentimet që s’kanë të bëjnë me artikullin. Reporteri.net mban të drejtën e fshirjes së komenteve që thyejnë rregullat e komunikimit.