Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj një vendimi të miratuar nga Qeveria e Kosovës, më 23 maj, për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 95.000 euro, për hartimin e akteve nënligjore dhe përgatitjet e nevojshme për zbatimin e Ligjeve për Reformën e Administratës Publike.
Sipas tyre, vendimi i lartpërmendur cenon rëndë parimet e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.
“Qeveria e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me këto parime, duke miratuar një vendim që është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë, duke dhënë kompensim shtesë për një kategori të caktuar të shërbyesve civilë për të kryer detyra dhe përgjegjësi, të cilat i kanë të përcaktuara në ligj dhe kontratën e punës”, thuhet në reagimin e IDK-së.
Sipas tyre, lista e personave që përfitojnë nga një vendim i tillë i qeverisë janë kryesisht pozita të larta në shërbimin civil, ku shumica kanë pozitën e drejtorëve apo udhëheqësve të divizioneve apo zyrave tjera në Zyrën e Kryeministrit apo ministrive të caktuara.
“Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim së paku me dy ligje, Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Ligji për Menaxhimin e Financave Publike. Mos reagimi i qeverisë dhe mos anulimi i këtij vendimi do të ketë pasoja juridike që hyn në kuadër të sferës penale, respektivisht shkeljes së dispozitave të Kodit Penal të Kosovës dhe Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik”, vijon reagimi. IKD kërkon nga kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar që të reflektojë, duke e anuluar Vendimin nr. 10/2014 i datës 23 maj 2019.
Lidhur me këtë kërkesë, IKD i është drejtuar me letër zyrtare kryeministrit Haradinaj dhe ministrave të Qeverisë që të reflektojnë mbi këtë vendim të kundërligjshëm, duke e anuluar. “Nëse kryeministri Haradinaj dhe kabineti qeveritar nuk reflektojnë, ftohen organet e ndjekjes që të zbatojnë obligimet ligjore në drejtim të hetimit të këtij vendimi dhe përfitimeve të kundërligjshme prej tij”, theksohet më tej në reagim.