×
  • Lajme
  • Botë

    Pasojat e tërmetit, Austria dhuron 600 mijë euro për Shqipërinë

    Reporteri
    06 Dhjetor 2019 | 15:24

    Austria ka dhuruar 600 mijë euro për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.


    Marrëveshja për dhurimin e kësaj shume u nënshkrua në Ministrinë e Mbrojtjes nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe drejtoresha e zyrës lokale të Agjencisë Austriake Për Zhvillim Simone Ungersböck.

    Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e prekura nga tërmeti, duke rindërtuar ose riparuar shtëpitë e dëmtuara.

    Përfituesit kryesorë të këtij donacioni do të jenë kryesisht bashkitë e Durrësit dhe të Tiranës.

    Partner zbatues i kësaj marrëveshjeje është Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndërsa Agjencia Austriake për Zhvillim do të monitorojë gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe do të informohet në mënyrë të vazhdueshme, direkt në terren për ecurinë e këtij projekti. Projekti ka hyrë në fuqi më datë 01 dhjetor 2019 dhe do të vazhdojë deri më 31 mars 2021. Austria ka qenë një nga vendet e para të Bashkimit Evropian që ka ofruar mbështetjen e saj në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së duke siguruar pas tërmeteve të 21 shatorit dhe 26 nëntorit 2019, gjeneratorë, batanije, krevatë portativë dhe mjete higjeno-sanitare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!