×
  • Lajme
  • Botë

    Përse është e vështirë të ngrihen akuza për vrasje ndaj policëve amerikanë

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 10:21

    Prokurorëve në Minesota iu deshën tri ditë për të ngritur akuza pas vrasjes së një afrikano-amerikani nga një oficere policie e bardhë më 11 prill.


    Ndaj ish-polices së qytezës Brooklyn Center, Kim Potter u ngritën akuza të mërkurën e kaluar për vrasje pa-paramendim të shkallës së dytë lidhur me incidentin që la të vdekur 20-vjeçarin Daunte Wright gjatë një ndalimi nga policia rrugore, njoftoi prokurori Attorney Pete Orput. Shefi i ish-polices Potter tha se e pandehura kishte tentuar të përdorte shokuesin me energji elektrike por gabimisht nxori revolen dhe qëlloi.

    “Do të veprojmë me ngulm për ta ndjekur penalisht këtë çështje dhe synojmë të dëshmojmë se policja Potter braktisi përgjegjësinë e saj për të mbrojtur publikun kur nxori armën në vend të shokueses,” tha përmes një deklarate prokurori Imran Ali, pjesëtar i ekipit të Prokurorit të Përgjithshëm Orput.

    Megjithëse familja e viktimës kishte bërë thirrje për ngritjen e akuzës për vrasje me qëllim, fakti që zyra e prokurorit reagoi brenda pak ditësh duke ngritur akuza dëshmon një ndryshim cilësor krahasuar me pak vite më parë kur hetuesit shpenzonin muaj të tërë para se të vendosnin nëse do të ngrinin akuza kundër një polici në incidente të ngjashme.

    “Kjo nuk ndodh më zakonisht. Njerëzit nuk e tolerojnë më,” thotë David Harris, pedagog i së drejtës në Universitetin e Pitburgut, i cili përqendrohet tek reagimet e forcave të rendit, raporton zeriamerikes.

    Vrasja përkoi me ditët e fundit të gjyqit të Derek Chauvin, ish-polici i bardhë në Mineapolis, i akuzuar për vrasje në vdekjen e George Floyd, një afrikano-amerikan, i cili vdiq pasi Chauvin i vuri gjurin në qafë për më shumë se nëntë minuta. Juria dëgjoi argumentet përmbyllëse në këtë çështje të hënën dhe ka filluar peshimin e çështjes.

    Potter, me karrierë 26-vjeçare në Departamentin e Policisë së Bruklin Sentër, është vetë-deklaruar e pafajshme. Nëse shpallet fajtore, ajo mund të dënohet deri me 10 vjet burg. Fakti që Potter u vu nën akuza vetëm tri ditë pas incidentit tragjik “është një ndryshim i madh, i madh”, tha pedagogu Harris, megjithëse shtoi se “thjesht nuk mjafton”.

    Incidenti i 2014-ës kur një polic i bardhë qëlloi duke lënë të vrarë 18-vjeçarin Michael Brown Jr, një afrikano-amerikan në Ferguson të Misurit, si dhe vdekja e George Floydit, kanë ndihmuar në nxitjen e një lëvizjeje proteste mbarëkombëtare kundër brutalitetit të policisë. Si përgjigje, prokurorët kanë reaguar shumë më të shpejt për të ngritur akuza ndaj policëve të bardhë për shkelje të protokollit profesional, vuri në dukje zoti Harris.

    Por në raport me incidentet totale ku policia përdor armë zjarri ndaj civilëve në vend, numri i ngritjes së akuzave penale mbetet tepër i vogël.

    Në vitin 2020, policia amerikane vrau 1,127 vetë, duke i bërë Shtetet e Bashkuara të spikasin dukshëm krahasuar me pjesën tjetër të botës perëndimore për sa u përket incidenteve me armë zjarri të policisë, sipas një analize nga organizata “Mapping Violence Police”. Asnjë oficer i vetëm policie nuk u shpall fajtor për vrasje me qëllim ose pa qëllim vjet. Në Minesota, para vdekjes së zotit Floyd, vetëm një polic ishte shpallur fajtor për vrasje me paramendim apo qëllim, pasi kishte qëlluar me armë zjarri gjatë detyrës një individ në 2017.

    Puna e policisë është shpesh e rrezikshme dhe madje vdekjeprurëse dhe përkrahësit e forcave të rendit thonë se një shumicë e madhe e incidenteve me pasoja fatale të shkaktuara nga policia përfundojnë me vrasjen e një krimineli të armatosur.

    “Shumica e incidenteve fatale ku ka rol policia kanë të bëjnë me përdorim të përligjshëm të forcës,” thotë Cully Stimson, ish-prokuror shtetëror dhe federal dhe tani zv/drejtor i Qendrës Edwin Meese III për Studime Ligjore dhe Gjyqësore në Fondacionin konservator “Heritage”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!