63 vjeçarja në Prishtinë u vra në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave – shumë raste të dhunës në familje muajve të fundit

25 nëntori është dita ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave. Pikërisht në këtë ditë, një grua në Prishtinë u vra në mënyrë mizore.

I dyshuari për vrasjen me sëpatë, është bashkëshorti i saj 70 vjeçar. Ai është vetëdorëzuar në polici pas aktit që dyshohet se e ka kryer.

Viktima 63 vjeçare ishte mësimdhënëse në një nga shkollat në kryeqytet.

Dhuna në familje në Kosovë është në rritje viteve të fundit. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, vetëm në periudhën janar–shtator të këtij viti në Kosovë janë raportuar 2067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.

Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2020 në Kosovë janë evidentuar 2.069 raste të dhunës në familje, me 2.101 viktima;  ndërsa në vitin 2021 janë evidentuar 2.456 raste me 2.486 viktima.

Drejtues të organizatave për mbrojtjen e grave vazhdimisht kanë thënë se numri i atyre që përjetojnë dhunë në familje është me i lartë sesa statistikat zyrtare, për arsye se ato nuk raportohen.

Pikërisht sot në Prishtinë është mbajtur ceremonia e fushatës globale“16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se kanë ndërmarrë veprime e kanë hartuar ligje për t’u qëndruar sa më pranë viktimave të dhunës në familje dhe asaj në baza gjinore.

Haxhiu po ashtu tha se shqetësues në Kosovë janë rastet e shumta të dhunës së burrave ndaj grave, ku deri në këtë periudhë të vitit sipas saj janë raportuar rreth 2500 raste të dhunës në familje./Reporteri.net