×
  • Lajme
  • Lajme

    Amerikani kërkon pajtimin e Thaçit me Haradinajn

    Reporteri
    27 Maj 2019 | 20:05

    Prishja e raporteve mes presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj nuk është më një fshehtësi. Këtë e kanë kuptuar edhe zyrtarët e lartë të SHBA-ve.


    Zëvendëspresidenti i Këshillit të Atlantikut, Damon Wilson, që është duke qëndruar në Kosovë në krye të një delegacioni nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka komentuar edhe marrëdhëniet e ftohta mes Thaçit dhe Haradinajt.

    “Ajo që dua të shoh është që Thaçi dhe Haradinaj të bashkohen dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një konsensusi në vend. Po ashtu edhe me opozitën sepse kjo është në të mirën e kosovarëve. Duhet të keni debat të dobishëm për arsimin, shëndetësinë dhe ekonominë”, ka pohuar ai në Klan Kosova, shkruan Reporteri.net.

    Kujtojmë se kryeministri Haradinaj para pesë ditësh në një intervistë dhënë për mediat ka pranuar publikisht se nuk ka raporte të mira me Thaçin.

    Haradinaj ka thënë se me Thaçin tashmë nuk komunikon dhe se është “i prishur”, por ka theksuar se nuk e ka “personale”.

    Acarimi i raporteve mes Thaçit e Haradinajt “eskaloi” pas takimit të Berlinit, ku kryeministri akuzoi presidentin se i ka bërë presion në Berlin që të tërhiqet taksa ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja. Kjo u mohua kategorikisht nga Thaçi duke i quajtur deklarimet e Haradinajt për të fituar votat. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!