×
  • Lajme
  • Lajme

    ‘Baba i Tenderëve’ takim në kafene me hetuesin e departamentit të Policisë që po e heton atë për kthim të jashtëligjshëm në Ministri

    Reporteri
    29 Prill 2021 | 17:49

    Nexhat Krasniqi, shef i prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, i dënuar për korrupsion, me vendim të plotfuqishëm nga gjykata, po e vazhdon punën e tij, përkundër se Gjykata Supreme në aktgjykimin dënues ndaj tij i ka shkëputur të njëjtit marrëdhënien e punës.


    I njohur si ‘Baba i tenderëve’, Nexhat Krasniqi, jo rrallë herë është përmendur në media për afera të ndryshme brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

    Por jo vetëm, përveç në rastin për të cilin është i dënuar për korrupsion, Nexhat Krasniqi ka qenë dhe vazhdon të hetohet nga institucionet e sigurisë në vend nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ashtu sikurse dyshohet që, prej muajsh, jashtëligjshëm e mban pozitën e shefit të prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

    Ndonëse hetimet për Krasniqin, sikurse për raste tjera të tilla, bëhen nga Departamenti Special i Antikorrupisonit në Policinë e Kosovës, brenda këtij organi Krasniqi del se ka krijuar edhe miqësi me të paktën një hetues nga ky departament.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ ka mësuar se Nexhat Krasniqi ka krijuar raport me një hetues të këtij departamenti. Fjala është për hetuesin Ekrem Ibishi.

    Gazeta ka siguruar edhe një fotografi nga një takim i Krasniqit, me hetuesin Ibishi, në një nga kafenetë në qendër të Prishtinës. Të shoqëruar me disa persona tjerë, në mesin e tyre edhe një biznesmen i njohur, takimi në fjalë ka ndodhur në ditët e para të muajit mars të këtij viti.

    Fotografitë janë të shkrepura nga sinjalizuesi i Reporteri.net nga momenti kur Ibishi afrohet drejt tavolinës në kafene ku po qëndron Krasniqi, dhe sipas personit që i ka shkrepur ato dhe e ka denoncuar rastin e ka patur të pamundur të shkrepë fotografi tjera pasi ata janë ulur bashkë, nga frika se mos po bie në vëmendjen e personave që po i shoqëronin ata.

    Por, shoqërimi i tyre, sipas një burimi të gazetës është i kamotshëm.

    Madje, një burim i Reporteri.net, brenda Ministrisë së Infrastrukturës, tregon se Ibishi si hetues i policisë është parë disa herë në objektin e kësaj ministrie, me detyrë zyrtare për rastet brenda këtij institucioni që janë nën hetim.

    Gazeta ka provuar ta kontaktojë Ibishin për ta pyetur për raportet e tij me Krasniqin dhe nëse afërsia e tij më të paraqet konflikt interesi, por i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara me SMS, pasi nuk ka hapur thirrjet telefonike.

    Jo zyrtarisht, nga Inspektorati Policor i Kosovës është bërë e ditur se hetuesi në fjalë nuk është duke u hetuar nga ky institucion dhe hetim të ngjashëm ndaj tij nuk ka patur as në të kaluarën. Ndërkohë, që deri në momentin e publikimit të artikullit IPK nuk ka kthyer përgjigjet e gazetës.

    Nga ana tjetër, siç mëson gazeta, hetuesi Ibishi ka marrë pjesë edhe në hetimin e kundërshtarit të Nexhat Krasniqit brenda kësaj ministrie, ish-sekretarit Betim Reçica.

    Këtij të fundit, në shkurt të këtij viti i është ngritur aktakuzë, për të cilën është deklaruar i pafajshëm dhe e ka kundërshtuar e quajtur të motivuar qysh kur është ngritur ajo.

    Ndryshe, Nexhat Krasniqi – Drejtori i Prokurorimit në Ministri të Infrastrukturës dyshohet se jashtëligjshëm e kthye në detyrë zyrtare, nëntorin e vitit të shkuar.

    Kjo pasi, Gjykata Supreme e Kosovës, në një aktgjykim të saj i ka ndërprerë marrëdhënien e punës si shërbyes civil, Nexhat Krasniqit, i njohur si “Baba i Tenderëve”.

    Gazeta Online ‘Reporteri.net’ merr vesh se tashmë ka nisur një hetim, nga Policia dhe Prokuroria, ndaj tij dhe disa personave tjerë brenda Ministrisë, për kthimin në punë të Nexhat Krasniqit. Hetimi po kryhet nga hetuesit e departamentit special antikorrupsion të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Krasniqi më 21 shtator 2015 ishte dënuar për “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga Gjykata Themelore të Prishtinës. Dënimi i ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit, e më 2 mars 2017 i bë i plotfuqishëm pasi i u mbështet edhe nga Gjykata Supreme.

    Mbi bazën e aktgjykimit në fjalë, Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqit i është shqiptuar masa disiplinore “Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil”.

    Në nenin e shpallur thuhej se “Nëse nëpunësi civil shpallet fajtor dhe dënohet për kryerje të veprës penale, autoritetet kompetente administrative detyrohen që nga ato elemente të vendimit të gjykatës kompetente, që përbëjnë shkelje të parimeve dhe të rregullave administrative, duhet të urdhërojnë shkarkimin e nëpunësit civil”. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!