×
  • Lajme
  • Lajme

    Bislimi informon Këshillin Evropian lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

    Reporteri
    07 Dhjetor 2022 | 23:53
    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi takon Simon Mordue, këshilltarin e Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës së tij në Bruksel, ka informuar sot Simon Mordue, këshilltarin kryesor për Politika të Jashtme të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

    Përmes një komunikate për media, nga Kryeministria njoftojnë se ky shënon një hap tutje drejt shtrëngimit të marrëdhënieve të Kosovës me BE’në, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    “Në këtë takim, këshilltari i Presidentit Charles Michel, u informua mbi vendimin e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Ka ardhur koha që marrëdhëniet dhe partneriteti me Bashkimin Evropian të shkojë një hap tutje.

    Kosova ka shënuar progres të theksuar, në fusha kyçe në bashkërendimin dhe përafrimin e standarteve me ato të BE-së si në sundim të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik e demokratizimin”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

    Për këtë takim, ka njoftuar edhe vetë zëvendëskryeministri Bislimi, përmes një shkrimi në Twitter.

    “Takim dhe bisedë e mirë me këshilltarin e Presidentit të Këshillit Evropian, Simon Mordue. Kosova është një partner i besueshëm i BE-së dhe tani është koha për të avancuar më tej procesin tonë të integrimit me aplikimin për anëtarësim”, njoftoi Bislimi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!