×
  • Lajme
  • Botë / Ngritja e AfD-së

    Gjermanët menduan se ishin imunë ndaj nacionalizmit, por u gabuan

    Reporteri
    18 Mars 2024 | 17:37

    Kur Sabine Thonke iu bashkua protestave në Berlin kundër partisë së ekstremit të djathtë, ishte hera e parë në shumë vjet që e ndjente se rritja e pushtetit të ekstremistëve në Gjermani mund të ndalej.

    Thonke, 59-vjeçare, e ka përcjell me jo shumë vëmendje ngritjen e Alternativës për Gjermaninë, ose AfD-në. Ama, kur dëgjoi për planin e dëbimit të miliona njerëzve nga Gjermania, ajo qe e bindur se duhej vepruar.

    Në një analizë të gjatë, agjencia e lajmeve “Associated Press” ka vlerësuar se shumë gjermanë besonin se shteti i tyre kishte fituar imunitet ndaj nacionalizmit dhe superioritetit racor pasi ishin përballur me tmerret e së kaluarës naziste nëpërmjet përndjekjes arsimore dhe juridike.

    “Mirëpo e kishin gabim”, vlerëson “Associated Press”.

    Sipas sondazheve, nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, AfD-ja do të dilte e dyta si partia më e madhe, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Mirëpo sondazhet kombëtare kamuflojnë një ndasi të rëndësishme: AfD-ja ka përkrahje disproporcionale në ish-shtetet komuniste të lindjes në Gjermani.

    “Pas rënies së komunizmit në vitin 1989 dhe unifikimit të Gjermanisë një vit më vonë, shumë njerëz në pesë shtetet lindore jo vetëm që humbën punën, por edhe të kaluarën e tyre kolektive. Ata mbetën të çorientuar dhe të pashpresë në sistemin kapitalist”, shkruan “Associated Press”.

    Ngritja e AfD-së është bërë për shkak të pakënaqësisë ndaj inflacionit dhe mbi të gjitha, rritjen e numrit të migrantëve në Gjermani.

    “BE-ja pranoi 1.1 milion kërkesa për azil në vitin 2023, numri më i lartë që prej vitit 2015. Gjermania ka numrin më të madh të këtyre kërkesave- më shumë se 300 mijë – kryesisht nga Siria, Afganistani dhe Turqia. Shteti gjithashtu ka pranuar më shumë se 1 milion refugjatë ukrainas të zhvendosur pas pushtimit të nisur nga Rusia”, ka vlerësuar AP-ja.

    Votuesit në Gjermani dhe nëpër Evropë janë duke përkrahur partitë e djathta nacionaliste, të cilat kanë premtuar se do të ndalin migrimin dhe në disa raste edhe liritë demokratike fetare, të shprehjes dhe të drejtës për të protestuar. Këto forca janë dyfishuar në Francë, Itali, Holandë dhe Austri.

    Ky shkrim, i përkrahur nga Qendra Pulitzer për Raportimin e Krizave, është pjesë e serisë së shkrimeve të Associated Press në lidhje me kërcënimet ndaj demokracisë në Evropë.

    Mësimet e Luftës së Dytë Botërore

    Pas vitit 1945, gjermanët perëndimorë u rritën në parimet që “kurrë të mos përsëritej” diktatura në tokën gjermane. Liderët e Gjermanisë Perëndimore kanë vizituar Izraelin dhe kanë kërkuar falje shtetit të pushtuar nga nazistët, teksa fëmijët janë dërguar për t’i parë kampet e përqendrimit ose memorialet e Holokaustit.

    Mirëpo në Lindje, shoqëri e vetëshpallur anti-fashiste, të rinjve u është mësuar se ata ishin pasardhësit e viktimave të nazistëve.

    E djathta ekstreme e ditëve të sotme përdorë të njëjtat taktika, duke shfrytëzuar frikën e njerëzve për të fituar besimin dhe votat e tyre.

    “E kuptoj se shumë njerëz janë të frikësuar nga krejt këto kriza – pandemia e koronavirusit, lufta në Ukrainë, refugjatët, inflacioni – dhe se kanë frikë se gjërat do të përkeqësohen”, thotë Thonke. “Mirëpo zgjidhjet që ofron AfD-ja nuk kryejnë punë”.

    Thirrja për zgjim

    Që prej muajit janar ka nisur seria e protestave kundër të djathtës ekstreme nëpër Gjermani. Gjithçka nisi pas një lajmi se ekstremistët e krahut të djathtë janë takuar për të diskutuar për dëbimin e miliona refugjatëve, përfshirë disa me shtetësi gjermane.

    Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e AfD-së, përfshirë Martin Sellnerin, austriakun me qëndrime neo-naziste dhe i dënuar për ekstremizëm të dhunshëm.

    Takimi i muajit nëntor, solli ndërmend Konferencën e Wannsee, në të cilën nazistët u pajtuan për të ashtuquajturën “zgjidhja finale” – tubimi sistematik që çoi në vrasjen e 6 milionë hebrenjve.

    Deri më tani, më shumë se 2.4 milionë njerëz kanë marrë pjesë në protestat kundër AfD-së.

    Mirëpo AfD-ja ka vazhduar të ngrihet. Në muajin dhjetor, për herë të parë fitoi kandidati i kësaj partie në qytetin Pirna në Saksoni.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!