Burgu i Dubravës me qindra të burgosur, në 120 hektarë dhe me 270 kamera të sigurisë

Burgu më i madh në Kosovë, Dubrava, shtrihet në 120 hektarë tokë. Kjo Qendër korrektuese ka kapacitet të mbajnë 1100 të burgosur.


Njëra ndër qendrat më të mëdha korrektuese në rajon, gjithashtu mbulohet me 270 kamera të sigurisë në katër anët e 120 hektarëve. Këtu mbahen të dënuarit që janë me 5 ditë burg deri më 15 vjet burg. Këtu, jetojnë, punojnë dhe shkollohen.

Qendra Korrektuese në Dubravë është njëra ndër qendrat më mëdha në rajon. Rreth 120 hektarë tokë, përfshirë tokën banuese, punuese dhe rrethinën, kontrollohet nga afërsisht 270 kamera të sigurisë.

Pavijonet e Qendrës korrektuese në Dubravë janë të caktuara për banim, për shkollë, kuzhinë, spital dhe punëtori. Gjithsej janë 8 pavijone brenda objektit dhe 1 pavijon jashtë rrethojës së burgut, i cili quhet pavijoni gjysmë i hapur, mbanë të burgosurit të janë pothuajse në liri, shkruan Gazeta Express.

Të gjithë të burgosurit që janë në përfundim të dënimit, përzgjidhen nga komisioni dhe caktohen që fundin e dënimit ta mbajnë jashtë perimetrit të burgut të Dubravës.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë, vendosen të gjithë të burgosurit që dënimi i tyre fillon prej 5 ditë e deri në 15 vjet burg. Sistemimi i tyre nëpër qeli shkon në bazë të pavijonit dhe regjimit të iu caktohet.

Një ndryshim i bërë së fundmi në Dubravë, është edhe klasifikimi i të të burgosurve në bazë të gjatësisë së dënimit, gjë e cila nuk është bërë deri më tani.

Ushtrues detyre i Drejtorit të Qendrës Korrektuese të Dubravës, Ilir Kelmendi, tha për Gazetën Express se klasifikimi i të burgosurve në këtë formë është bërë për herë të parë në këtë qendër dhe se sipas tij, ka shkuar mjaftë mirë.

“Kjo ka qenë një sfidë e madhe, ka qenë një ndryshim i madh. Të burgosurit e kanë prit mirë, të gjithë janë klasifiku nëpër pavijone, nëpër krahë, duke e pa gjatësinë e veprës, edhe veprën që ata janë të akuzuar”, tha Kelmendi.

Përafërsisht në këtë burg vuajnë dënimin 860 të burgosur. Në pavijone për momentin janë nga 6 të burgosur në dhomë, por synimin drejtori thotë se e kanë që ta ulin këtë numër në katër.

“Jemi duke u munduar që ta reduktojmë kapacitetin e dhomës, në çdo pavijon të jenë kah katër të burgosur në dhomë. Kjo është një sfidë e radhës, do e shohim me përkrahjen e Drejtorisë Qendrore”, tha U.D. drejtori i Dubravës, Ilir Kelmendi.

Të burgosurit që gjenden në pavijonin gjysmë të hapur, janë ata që punojnë tokën në territorin e burgut, merren me blegtorinë dhe shfrytëzojnë të gjitha beneficionet.

Dubrava ka edhe dhomën e kontrollit, e cila është në funksion 24 orë. Nga këtu, kontrollohet çdo cep i burgut dhe çdo hyrje dhe dalje nga secili pavijon dhe lëvizjet e të burgosurve, por edhe oficerëve.

Në dhomën e kontrollit, gjithmonë janë pesë oficerë, dy pranojnë telefonatat, një në radiolidhje dhe dy oficerë kontrollojnë kamerat e sigurisë.

Kadri Haliti, punon që 10 vjet në pozitën e udhëheqësit të Njësisë për Programe, regjime, arsimim dhe çështje sociale në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Njësia më shumë merret me klasifikimin e të burgosurve, me beneficionet e tyre dhe me ndarjen e të burgosurve nëpër pavijone.

“Të gjithë të burgosurit kanë të drejtë të vijojnë mësimin, pa marrë parasysh veprën e dënimin e tyre që e vuajnë. Ata që bëhen pjesë e regjimit standard, të burgosurit mund të vendosen në regjimin e avancuar. Shumica e të burgosurve në regjimin e avancuar janë të punësuar brenda perimetrit të murit dhe në zonën industriale”, tha Haliti.

Nga aty, të burgosurit kanë të drejtë të aplikojnë të dalin në tipin e lirë, që quhet ndryshe, pavijoni gjysmë i hapur.

Të burgosurit në Dubravë kanë të drejtë të shkojnë në shtëpitë e tyre 7 ditë brenda vitit. E vizitat e familjarëve bëhen çdo tre muaj, ku secili i burgosur ka të drejtë të rrijë deri në 3 orë me familjen e tij.

Zona e banueshme e Dubravës, përmbajnë 6 pavijone dhe një sallë ku mundem t’i kryejnë aktivitetet sportive. Shëtitjet e ditës të burgosurit i kanë 2 herë në ditë nga 1 orë, ndërsa aktivitetet prej rutinës sportive bëhet 2 ose tri herë në javë.

Ky është pavijoni numër 6, në të cilin vendosen të burgosurit e regjimit të avancuar dhe ata janë të gjithë të punësuar. Shumica e tyre punojnë në kuzhinë, punojnë në shkollë e në bibliotekë, në sallë të sportit dhe janë pjesë e grupeve punuese për mirëmbajtjen e oborrit dhe mund të kryejnë trajnime në punëtori.

Të gjithë këta të burgosur pas çdo trajnimi, kanë të drejtë të certifikohen në bazë të punës së tyre.

Në secilin krah të çdo pavijoni, të burgosurit kanë sallën e rekreacionit. Por, duhet të ceket se të burgosurit që gjendjen në regjim të avancuar, ushqimin e hanë në sallën e kuzhinës, kurse të tjerët, ushqimin e hanë nëpër qelitë e tyre.

Të burgosurit që kanë privilegje dhe që gjenden të listën e të avancuarve, kanë të drejtën që në qelitë e tyre të kenë edhe televizor, frigorifer dhe gjëra të tjera të kuzhinës. Gjithashtu, ata e kanë edhe zonën e tushit që gjendet brenda krahut të pavijonit, shkruan Gazeta Express.

Shkollimi i të burgosurve që gjenden në Qendrën Korrektuese të Dubravës është pjesë mjaftë e rëndësishme e kohës së tyre që e kalojnë në burg.

Për shkollimin, bibliotekën dhe punëtoritë më shumë na tregoi Enver Mahmutaj, i cili që nga viti 2002 është pjesë e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Si përgjegjës për shkollë, punësim dhe aktivitete sportive, Mahmutaj tregoi se shkolla që e vijojnë të burgosurit në Dubravë, është një paralele e shkollës së teknikës së Gurakocit.

Profesorët që ligjërojnë në shkollën brenda Dubravës, janë profesorë të certifikuar nga Ministria e Arsimit.

“Diplomat dhe certifikatat që lëshohen pas përfundimit të shkollës, janë të njëjta me ato që lëshohen në të gjithë shkollat në Kosovë.

“Në certifikata dhe diploma nuk figuron se i burgosuri e ka kryer shkollën derisa ka qenë në vuajtje të dënimit të Dubravë”, tha Enver Mahmutaj, për Express.

Krejt këto 3000 libra që janë në bibliotekën e Qendrës Korrektuese të Dubravës, janë donacione kryesisht të dhëna nga vetë bibliotekat në Kosovë.

Në shkollën e Dubravës janë gjithsej 6 klasë, dhe të burgosurit kanë të drejtë të zgjedhin drejtimet e tyre si në makineri, bujqësi, drejtimin e instalimit të ujit dhe kanalizimit dhe drejtime të tjera.

Gjithashtu, brenda këtij objekti është edhe salla e kompjuterëve, në të cilën kryhen trajnimet profesionale që organizohen jashtë kuadrit të mësimit.

Të burgosurit e Dubravës kanë edhe aktivitete të shumta sportive, duke filluar nga loja e futbollit, fitnes dhe sallën e sportit.

Karrige, tavolina, dritare, shporta të bërllokut dhe dyer të formave dhe ngjyrave të ndryshme, janë puna që ruhet në këtë punëtori, punë të kryera nga të burgosurit të Dubravës.

Për të qenë pjesë e punëtorisë, të burgosurit e interesuar fillimisht trajnohen nga instruktorët profesionalë, dhe më pas kalojnë në punë individuale, varësisht prej kërkesës dhe dëshirës.

Secili punim në këtë punëtori, kryesisht përdorët për nevoja të burgut të Dubravës. Shumica prej tyre madje dërgohen edhe në qendrat e tjera korrektuese të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Punëtoria e dytë e Dubravës, e cila është e dedikuar vetëm për zdrukthëtari, është e kompletuar me mjete të cilat iu ndihmojnë të burgosurve në punën e tyre.

Ekipi hasi edhe në një punë dore të veçantë nga druri. Të burgosurit kishin krijuar edhe instrumente, si në këtë rast, çifteli.