Caktohet masa e sigurisë ndaj dy të dyshuarve për marrje/dhënie ryshfeti

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.K. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se i dyshuari i parë ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 KPRK-së, ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.S. për veprën penale kontrabandimi i mallrave, nga neni 311 dhe veprën penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 të KPRK-së, ndërsa të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak .


Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Mustaf Tahiri, ka vërtetuar faktin se i pandehuri B.K. nga tetori i vitit 2020 deri më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, në cilësinë e personit zyrtar si zyrtar doganor pranë Doganës së Kosovës, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete ose për personin tjetër, me dashje nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që derisa është në detyrë, e njofton të pandehurin L.S. për kohën kur është i caktuar në trakë për kontrollimin e automjeteve dhe qytetarëve me rastin e kalimit të kufirit, me ç’rast i mundëson të pandehurit që ta kaloj pikën kufitare duke kontrabanduar mallra përmes Maqedonisë së Veriut për në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore të kontrollit. Ndërsa më 18.05.2021 në pikën kufitare në Han të Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon ryshfet nga i pandehuri L.S., ashtu që nga i njëjti me rastin e kalimit të kufirit pranon shumën e përgjithshme të të hollave prej 70 €, duke i mundësuar kështu kalimin e pikës kufitare pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit.

I pandehuri L.S. dyshohet se nga tetori i vitit 2020 deri më 18.05.2021, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në atë mënyrë që me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor, në veturën e të pandehurit, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1,385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos, pronë e të pandehurit, gjenden dhe sekuestrohet edhe një sasi e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16,290.00 pako. Po ashtu i pandehuri dyshohet se më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtarë, përkatësisht zyrtarit doganor B.K., në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 70 €, për çka edhe ishin marr vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.K, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, ndërsa ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin L.S. dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit të përcaktuara me KPPRK-në, dhe masë së arrestit shtëpiak duke vlerësuar peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohet se është kryer kjo vepër penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij