27 studentë të Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar për ngacmim seksual edhe në Policinë e Kosovës profesorin Xhevat Krasniqi.
Lajmin e kanë të ditur për gazetën online Reporteri.net, burime brenda autoriteteve të sigurisë.
Rasti në Polici është denoncuar ditën e sotme dhe Policia ka nisur hetimet.
Për rastin ka ditë që po flitet në media dhe po ashtu janë zhvilluar protesta për shkarkimin e tij.
Protesta janë mbajtur nga Lëvizja Feministe Studentore dhe studentë të UP-së duke kërkuar shkarkimin e Krasniqit dhe Këshillit të Etikës.
Nga data 26 mars kanë filluar protestat me kërkesë shkarkimin e tij.
Xhevat Krasniqi është profesor i rregullt i matematikës në Fakultetin e Edukimit dhe në muajin mars 2024 është raportuar se 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë e kanë denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së, me akuzën për ngacmim seksual.
Sipas raportimeve, Krasniqi ka ligjëruar në Fakultetin e Mjekësisë si profesor i angazhuar nga fakultetet e tjera brenda UP-së.
Edhe Universiteti i Prishtinës ka reaguar në lidhje me denoncimin për ngacmim seksual që 27 studentë i kanë bërë profesorit Xhevat Krasniqi, duke kërkuar më shumë kohë për trajtimin e këtij rasti.
Këshilli i Etikës, sipas UP-së, thotë se ky rast “meriton hapësirë kohore” në mënyrë që të dëgjohen dhe shqyrtohen deklarimet e secilës palë.
Sipas UP-së, “nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”.
Në komunikatën e lëshuar nga UP-ja më 12.04.2024 thuhet se deri tani janë mbajtur tri seanca dhe se rasti po trajtohet me urgjencë.
“Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit”, thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, UP-ja ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga të gjitha format e presionit.
“UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”, thuhet mes tjerash në komunikatën në të cilën asnjëherë nuk është permendur fjala “ngacmim seksual”.
Sipas këtij institucioni rasti dyshohet se ka ndodh në tetor/nëntor 2022 dhe janar/shkurt 2023, ndërsa është adresuar në mes të marsit 2024.
Pesë javë pas denoncimit të studenteve ndaj profesorit të Shkencave të Matematikës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual, më 04.04.2024 u mblodh Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës.
Ndërkohë, aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, po të njëjtën ditë u shpërndanë me forcë nga Policia e Kosovës, pasi kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit të UP-së.