E thotë ministri i Shëndetësisë: Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka treguar disa nga veprimet që duhet t’i bëni për ta parandaluar infektimin me koronavirus.


Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për parandalimin e infeksionit me virusin Covid-19, Vitia këshilloi që të konsumohet sa më shumë ujë, lëngje dhe çajra, sidomos me limon.

“Personat e moshuar dhe fëmijët të ndahen nga anëtarët tjerë të familjes”, ka këshilluar Vitia.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që secili anëtar i familjes të flejë në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale.

“Nëse ka mundësi secili të bëjë gjumin në shtratin e vet dhe të shfrytëzojë banjo personale”, tha Vitia.

Ai ua ka dhënë qytetarëve edhe një këshillë që në Kosovë është vështirë të respektohet.

“Mos pranoni vizita nga të afërmit dhe miqtë në shtëpi”, ka këshilluar ministri.

Për ata që kanë kafshë shtëpiake, Vitia u ka thënë “largoni ato ose pas çdo kontakti me to lani duart me ujë dhe sapun”.

Gjithashtu, ministri ka sygjeruar që të shmangen personat që vuajnë nga sëmundjet akute të frymëmarrjes dhe të evitohet përdorimi i tualeteve publike.

Këto ishin vetëm disa nga këshillat që ministri Vitia i lexoi gjatë mbledhjes, ku rëndësi të veçantë theksoi se duhet kushtuar higjenës personale dhe kontakteve me njerëz.

Në fund të raportimit të Vitisë, kryesuesi i këtij komisioni dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar që të ndërpritet transmetimi i kësaj mbledhjeje.

“Meqenëse jemi të interesuar të dëgjojmë edhe përshtypjet tuaja që mund të mos jenë fakte, që mund të mos jenë ende fakte dhe për shkak se ato do të mund të reflektoheshin në keqinterpretime të ndryshme, kërkoj që të ndërpritet transmetimi, kjo mbledhje të jetë e mbyllur. Të diskutojmë hapur për ato çfarë dimë e kemi dëgjuar dhe natyrisht vendimet që do t’i marrim do t’i kemi publike”, ka thënë Kurti.