Fushata në kohën e koronavirusit, partitë deklarohen se si do të komunikojnë për 30 ditë me elektoratin e tyre

Sonte pas mesnatës nis zyrtarisht fushata një mujore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Këtë vit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit do të zhvillohet një fushatë më ndryshe nga ajo e zgjedhjeve të kaluara lokale.


Shumica e partive politike pritet që komunikimin me votueist e tyre ta bëjnë më shumë nëpërmjet formave alternative. Pra, fushata kryesisht do të zhvillohet në mënyrë digjitale përmes platormave të ndryshme të komunikimit, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net“.

Reklamë

Partitë janë deklaruar se do t’i respektojnë masat e vendosura nga Qeveria në mënyrë rigoroze.

E para që është deklaruar ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka vendosur që ta kufizojë fushatën në vetëm pesë ditë.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj. Haradinaj, ka thënë se partia e tij do të kufizojë fushatën konvencionale për zgjedhjet lokale të tetorit, në pesë ditë.

Ai ka thënë se kjo parti është pajtuar që ta zhvillojë fushatën “në përputhje të plotë me kriteret dhe rekomandimet për parandalimin e përhapjes së virusit”.

Haradinaj ka njoftuar se fushata do të bëhet në rrugë digjitale.

Lidhur me mënyrën e organizmit të fushatës nga Partia Demokratik e Kosovës, ka folur Blerand Stavileci.

Ai në Politiko të Kanal 10, ka thënë se PDK e ka të rëndësishëm shëndetin e qytetarëve dhe duhet të respektohen rregullat e pandemisë. Stavileci ka folur për zhvillimin e fushatës digjital, shkruan Reporteri.net.

“Edhe ne kemi qenë të përgatitur për një lloj fushate të tillë. Nuk është risi se edhe në fushatat e kaluara për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe fomrave të reja të komunikimit jemi mësuar dhe adaptuar në këtë lloj komunikimi dhe nuk e konsiderojmë si pengesë të madhe”, tha ai.

Stavileci ka thënë se edhe gjatë takimeve fizike me qytetarët do t’i respektojnë masat në mënyrë rigoroze.

“Gjatë gjithë kohës edhe në takimin që e kemi pasur para pak ditësh me kandidatët për kryetar, kryetari Memli Krasniqi dhe të gjithë të tjerët kemi përsëritur se duhet të kemi respektim maksimal të të gjitha rregullave. Edhe çështja e numrit të personave, kufizimi i numrit dhe ne maksimalisht do ta respektojmë çdo pikë të udhëzimeve”, tha Stavileci.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se fushatën me takime fizike me qytetarët do ta zhvillojnë vetëm në 5 ditët e fundit të fushatës dhe pjesa tjetër do të jetë kryesisht nëpërmjet platformave digjitale. Lajmin e ka bërë të ditur Arben Gashi.

“Shtëpia jonë politike – LDK, është bërë gati. Kemi ofertë për të gjithë e në çdo komunë. Kemi vizion të qartë dhe kandidatë të dëshmuar në menaxhim, të cilët fokusin do ta kenë në përmirësimin e përditshmërisë tonë në të gjitha sferat. Fushata do të shkurtohet, nga ajo konvencionale do të kalohet në atë dixhitale, krejt kjo në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve nga situata me pandeminë, të cilën paaftësia e Qeverisë e rëndoi edhe më shumë”, ka thënë Gashi, shkruan Reporteri.net.

Nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje,  e cila është në pushtet nuk janë deklaruar rreth kësaj çështjeje.

Kujtojmë që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se fushata zgjedhore për zgjedhjet e 17 tetorit do të zgjasë 30 ditë.

Radoniqi tha se kjo periudhë e fushatës zgjedhore është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet përkundër pandemisë.

“Periudha e fushatës zgjedhore për këto zgjedhje të rregullta është 30 ditë, dhe kjo periudhë është ligjore dhe nuk mund të ndryshohet përkundër rrethanave të krijuara”, tha ai.

Radoniqi u bëri thirrje subjekteve politike që t’i respektojnë masat kufizuese ndaj COVID-19.

“Gjatë kësaj periudhe t’i përmbahen ligjit dhe masave, gjatë kësaj kohe duke pasur parasysh situatën me coronavirus, ju bëj thirrje subjekteve politike që të respektojnë masat dhe kufizimet e vendosura nga Qeveria. Shëndeti i qytetarëve tonë është i rëndësisë parësore dhe të gjithë ne si institucione e po ashtu ju si subjekte politike, kemi përgjegjësi në respektimin e këtyre masave dhe kufizimeve me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve tonë”, deklaroi ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.