×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjykata merr vendim për Labinot Grudën, i akuzuar për vjedhjen e 2 milionë eurove në Thesar

    Reporteri
    22 Tetor 2020 | 14:27

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Labinot Grudës, për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.


    Të pandehurit Labinot Gruda, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji duke filluar prej datës 21 tetor 2020 gjerë me datë 20 nëntor 2020.

    “Gjyqtari e procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së. Të pandehurit L.G. i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengojë rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin L.G. është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tij në procedurë penale”, thuhet në njoftim.

    Tutje, theksohet se i pandehuri L.G. dyshohet se me datë 09 tetor 2020 në cilësinë e personit zyrtar ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke realizuar transaksione në vlerë prej 2,077,995.90 euro në adresë të një kompanie, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumë prej 2,077,995.90 euro dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!