×
  • Lajme
  • Lajme

    I burgosuri që vdiq në QKUK ishte i dënuar me 6 vjet burg për dhunim seksual

    Reporteri
    09 Maj 2019 | 15:51

    Ditët e fundit të jetës i kaloi në Burgun e Dubravës. Martin Nikulaj po mbahej aty pothuajse qe dy vite për një dhunim që ishte kryer në shkurt të 2017’ës. Lirimi i tij do të bëhej në nëntor të 2023’ës, por që ai nuk arriti ta priste atë ditë. 63 vjeçari nga Istogu ka ndërruar jetë sot në mëngjes në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës. Në Shërbimin Korrektues deklarojnë se ai gjendej në trajtim që nga 29 marsi, dhe se vuante nga Anaurismae Aorta Abdominalis (AAA).


    E enjtja ishte dita e fundit e jetës për të burgosurin Martin Nikulaj nga Istogu. I njejti po mbahej për më shumë se dy vite në Burgun e Dubravës për një dhunim që ishte kryer më 2 shkurt të vitit 2017.

    Ai nuk arriti që ta priste as ditën e lirimit. 63 vjeçari ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).

    Në Shërbimin Korrektues të Kosovës i kanë thënë Gazetës se i burgosuri ka qenë nën tretman mjekësor që nga 29 marsi i këtij viti.

    Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi thotë se 63 vjeçari  ishte në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës që nga nëntori i 2017’ës.

    Deklaron se ai ka qenë i dënuar me gjashtë vite burg për dhunim.

    “Nga data 29.03.2019 ka qenë nën tretman te stafit dhe i vendosur ne stacionarin e burgut ku kishte vizita sistematike. Pas vizitave sistematike nga kardiologët në SP në Pejë është rekomanduar që të dërgohet në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, ku dhe është dërguar menjëherë. Pas kontrollave dhe analizave, të hënën më 06 Maj është liruar për të u sjell prapë të premten për intervenim”, ka thënë Gashi.

    Ai ishte arrestuar më 21 nëntor të 2017’ës, derisa lirimi i tij parashihej të bëhej më 21 nëntor të 2023’ës.

    “Ka qenë i denuar për Vepren Penale Dhunim.I burgosuri veprën penale e ka kryer me 02.02.2017. Data e arrestit 21.11.2017 – data e lirimit 21.11.2023”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës.

    Ndërkohë, lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur sot në mëngjes Shërbimi Korrektues i Kosovës.

    Përmes një komunikate drejtuar mediave, ata njoftuan se i burgosuri ka pasur Anaurismae Aorta Abdominalis (AAA) dhe se trupi i të ndjerit është dërguar për autopsi, për të verifikuar shkakun e vërtetë të vdekjes.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se me datë 09 maj 2019 rreth orës 08:50, sipas informatave nga QKUK, në njësinë Qendrore të Kujdesit Intensiv ka ndërruar jetë i burgosuri M.N, i lindur më 1956”, thuhej në njoftimin e SHKK-së.

    Ndryshe, vetëm gjatë vitit të kaluar dy të burgosur kanë ndërruar jetë nëpër qelitë e tyre, sa ishin duke e vuajtur dënimin. Ndërsa, që nga viti 1999, nëpër burgjet e Kosovës kanë vdekur 58 persona.

    Gazeta Express kishte raportuar në tetor të 2018’ës se si një numër i madh i të burgosurve janë të sëmurë.

    Sëmundjet kryesore nga të cilat vuanin të burgosurit ishin ato të zemrës, frymëarrjes dhe lëkurës, derisa kishte edhe të burgsour që vuanin nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe infektive.

    Vetëm për çrregullime kardiovaskulare, respiratore dhe sëmundje të lëkurës, nëpër burgje vjet ishin paraqitur rreth 2 mijë raste. Për gjithë këto raste të sëmundjeve, ishin kryer 28 mijë e 305 shërbime mjekësore për gjashtë muaj.

    Ndërkohë, sipas raportit të Departamentit Shëndetësor në Burgje, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, arsyet kryesore se pse ka rritje të rasteve të vdekjeve nëpër burgje, ishin plakja e të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm dhe sëmundjet nga të cilat vuajnë të burgosurit.

    “Rritja e vdekjeve në burg mund të karakterizohet si pasojë e plakjes së popullatës së të burgosurve, shqiptimi i dënimit të përjetshëm, moslimitimi i moshës në burgje dhe shkaqe të tjera nga sëmundshmëria si dhe pezullimi i disa ndërprerjeve të përkohshme për shkaqe shëndetësore, marrje e shërbimeve shëndetësore jashtë institucioneve publike të vendit”, thuhet në raportin vjetor të DSHB-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!