×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish’diplomati kosovar: Kthimi i forcave të armatosura serbe në Kosovë i pamundur dhe gabimi i Kosovës me targat

    Reporteri
    12 Dhjetor 2022 | 16:05
    Lulzim Peci

    Ish’diplomati kosovar Lulzim Peci e ka vlerësuar si komike përpjekjen e Serbisë për kthimin e forcave të armatosura në Kosovë. Por ai gjithashtu e ka cilësuar gabim mosdëgjueshmërinë e Kosovës në raport me vendimin për targat. Madje sipas tij, Kosovën nga kjo situatë e ka nxjerrë vetëm ‘budallakia’ e Serbisë.

    Peci ka thënë se për këtë vendim të pretenduar të saj nuk mundet ta përdor madje as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

    “Kërkesa e Serbisë për prurjen në Kosovë të personelit të armatosur ka ngjallur shumë reagime në Kosovë dhe jashtë saj. Kjo kërkesë në radhë të parë, në bazë të së drejtës ndërkombëtare është përpjekje për agresion ndaj një vendi te pavarur, duke pasur parasysh faktin se Karta e Kombeve te Bashkuara i mbronë vendet e pavarura nga agresioni i jashtëm pavarësisht anëtarësisë në këtë organizatë. Thirrja në Rezolutën 1244(1999) është jashtë kontekstit të saj kohor, pasi tanimë është definuar statusi i Kosovës dhe pavarësia e saj nuk është kontestuar nga asnjë dokument legal i Kombeve të Bashkuara, dhe legaliteti i shpalljes së pavarësisë është validuar nga GJND”, ka shkruar Peci.

    Tjetër pengesë për kthimin e forcave të armatosura serbe në Kosovë, që Peci e ka theksuar është edhe roli i NATO’s në këtë vendim. Ai ka thënë se vetëm një shtet anëtar i NATO’s nëse përdor veton, Serbisë i pamundësohet pretendimi.

    “Së dyti, kjo kërkesë komike e Serbisë, duhet të aprovohet paraprakisht nga Këshilli i NATO-s para se Komandanti i KFOR-it të merr çfarëdo vendimi, pasi ajo i prekë interesat e vendeve anëtare dhe atyre partnere që i kanë trupat në Kosovë. Këtu mjafton vetëm një vend i NATO-s të vë veto, dhe një veprim i tillë do të pamundësohet. Këtë gjë e dinë fort mirë Serbia, dhe ate e bënë më tepër për konsum të brendshëm dhe për të hedhur hi në sy komunitetit serb në veri të Kosovës, por njëkohësisht edhe për ta sfiduar autoritetin e NATO-s dhe të BE-së, kur perëndimi si asnjëherë është duke u ballafaquar me Rusinë.

    Megjithatë, ish’diplomati kosovar, e sheh si gabim të qeverisë së Kosovës për mos shtyrjen e vendimit për targat sipas kërkesës fillestare të SHBA’së. Ndërsa nga ky gabim Kosovën sipas tij, pa dëme më të mëdha e ka nxjerrë vetëm ‘budallakia’ e Serbisë.

    “Gabimi që është bërë me mos dëgjimin e këshillës së SHBA-ve rreth çështjes së targave, nuk i ka sjellë asnjë të mirë Kosovës. Përkundrazi, ajo i ka sjell vetëm dëme dhe dobësim të pozicionit në negociatat me Serbinë. Në këtë situatë, si po duket edhe një herë do ta shpëtoj vendin tonë budallakia e Serbisë në veri të Kosovës. Besoj se edhe më verbërit në bashkësinë ndërkombëtare e kanë të qartë se Beogradit nuk i interesojnë njerëzit, por vetëm territori. Ndërsa në anën tjetër Kosova ka pak ide se si duhet të punohet me komunitetin serb në veri. Të mos harrojmë se pavarësisht lojalitetit të tyre, mbi të gjitha, ata janë qytetarë të Kosovës”, ka përfunduar Peci.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!