×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca takohet me presidentin e Maltës, i kërkon mbështetje për vizat

    Reporteri
    23 Tetor 2022 | 13:09

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot e ka pritur në takim presidentin e Maltës, George Vella.

    Në këtë takim është biseduar për raportet mes dy vendeve dhe “proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova”.

    Sipas njoftimit të lëshuar nga Drejtoria e Kuvendit për media dhe marrëdhënie me publikun, në takim gjithashtu u shkëmbyen mendime për zhvillimet politike dhe sfidat e sigurisë në rajon e më gjerë.

    “Duke kërkuar nga shteti mik i Maltës vazhdimin e mbështetjes për agjendën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, Kryetari Konjufca nënvizoi se qytetarët tanë janë të vetmit në Evropë të cilët ende nuk mund ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë”.

    Komunikata e plotë:

    Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Presidentin e Maltës, George Vella

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Presidentin e Republikës së Maltës, George Vella, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në shtetin tonë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.

    Në takim, përveç çështjeve tjera, u bisedua për raportet dypalëshe dhe proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe u shkëmbyen mendime për zhvillimet politike dhe sfidat e sigurisë në rajon e më gjerë.

    Kryetari Konjufca vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona janë shumë të mira dhe shprehu gatishmërinë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë.

    Malta, tha Kryetari Konjufca, është ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe ne jemi përherë mirënjohës për njohjen, por edhe për përkrahjen e palëkundur drejt të ardhmes në BE dhe anëtarësimin në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

    Duke kërkuar nga shteti mik i Maltës vazhdimin e mbështetjes për agjendën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, Kryetari Konjufca nënvizoi se qytetarët tanë janë të vetmit në Evropë të cilët ende nuk mund ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë.

    Pasi e falënderoi Kryetarin Konjufca për mikpritjen, Presidenti George Vella shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe fuqizimin e partneritetit dypalësh, si dhe ritheksoi përkushtimin për të qëndruar përkrah Republikës së Kosovës në rrugën e saj të integrimit evropian. ​

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!