Krasniqi: PDK s’është shkëputur kurrë nga Malisheva, e as Malisheva nga PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë ditës ka qëndruar në Malishevë, derisa ka takuar kandidatin për kryetar të kësaj komune, Isni Kilajn.


Krasniqi përmes një shkrimi të bërë në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se PDK nuk është shkëputur kurrë nga Malisheva, por as Malisheva nga PDK-ja.

Tutje ai ka shkruar se Kilajn e pret një punë e madhe në Malishevë, për të ndërtuar një të ardhme të mirë për banorët e kësaj komune.

Më poshtë edhe postimi i plotë:

Partia Demokratike e Kosovës nuk është shkëputur kurrë nga Malisheva, e as Malisheva nga Partia Demokratike e Kosovës. Sepse lidhja e PDK-së me Malishevën dhe e Malishevës me PDK-në, është lidhje më e madhe e më e fortë, sesa disponimi politik e elektoral i një kohe të caktuar.

Sepse Malishevën dhe PDK-në i lidhin bashkë shumë gjëra. Por, mbi të gjitha, janë dy. Identiteti i luftës sonë çlirimtare dhe i kauzës sonë kombëtare për pavarësi e shtet ndërtim. Dhe, historia e qeverisjes transformuese e zhvillimore, të cilën ne e kemi nisur, e kemi zhvilluar dhe e cila fatkeqësisht, prej kohës kur nuk jemi më në qeverisje, ka stagnuar dhe ka degraduar.

Prandaj, në këto zgjedhje jam shumë i lumtur që qytetarët e Malishevës janë bashkuar pa dallime dhe kanë vendosur ta mbështesin fuqishëm PDK-në dhe ta zgjedhin Isni Kilajn kryetar komune, për ta rinisur zhvillimin e transformimin aty ku e kanë lënë, për ta nxjerrë Malishevën në nivelin që e meriton.

Kryetari i ardhshëm Isni Kilaj dhe kandidatët e PDK-së për Kuvendin Komunal, e kanë të qartë se i pret shumë punë, për të ndërtuar të ardhme më të mirë për banorët e kësaj komune. Për ndërmarrësit, për punëtorët, për fermerët, për të rinjtë e të rejat që e duan qytetin e tyre dhe duan të zhvillohen brenda tij e me punë e përkushtim ta zhvillojnë edhe atë.

Dhe një shpresë e tillë, nuk rikthehet pa agjendë konkrete, pa agjendë zhvillimore e as pa përkushtim e vendosmëri për t’i shkuar këtij plani e këtij vizioni deri në fund. Ky është fokusi i vetëm i Isni Kilajt dhe i PDK-së në këto zgjedhje në Malishevë. Agjenda e zhvillimit, e mirëqenies dhe e mundësive të reja për të rinjtë dhe të rejat e kësaj komune.