×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti, ambasadorëve të QUINT’it: Marrëveshja finale në dialog ta ketë njohjen reciproke në qendër

    Reporteri
    21 Tetor 2022 | 18:02

    Marrëveshja Kosovë-Serbi, duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi me përfaqësues të shteteve të QUINT’it.

    Përmes një komunikate për media, nga Qeveria kanë thënë se temë diskutimi ishin procesi i dialogut dhe zhvillimet në vend, me theks të veçantë te vendimi për targat si dhe energjia, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Kryeministri Kurti ka ripërsëritur se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

    “Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

    Sa i përket vendimit për targa, që po i afrohet fundit të periudhës në të cilën qytetarët mund t’i kthejnë targat ilegale në ato RKS, e për të cilën ka kërkesë të Perëndimit që të shtyhet edhe për disa muaj, kryeministri ka thënë se “vendimi s’është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës”.

    Në takim u diskutua edhe energjia, ku u fol për zbatimin e plotë të udhërrëfyesit për energji dhe masat e qeverisë ndaj krizës energjetike.

    “Energjia kishte vëmendje të veçantë. Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës. Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord”, thuhet tutje. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!