×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti insiston tek ambasadorët e QUINT-it në zbatimin e vendimit për targat: S’është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës

    Reporteri
    21 Tetor 2022 | 18:19

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorët e shteteve të QUINT’it, ku kanë diskutuar për vendimin e Qeverisë për targat, procesin e dialogut dhe energjinë.

    Sa i përket vendimit për targa, që po i afrohet fundit të periudhës në të cilën qytetarët mund t’i kthejnë targat ilegale në ato RKS, e për të cilën ka kërkesë të Perëndimit që të shtyhet edhe për disa muaj, kryeministri ka thënë se “vendimi s’është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kryeministri Kurti po ashtu ka ripërsëritur se marrëveshja me Serbinë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

    “Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

    Në takim u diskutua edhe energjia, ku u fol për zbatimin e plotë të udhërrëfyesit për energji dhe masat e qeverisë ndaj krizës energjetike.

    “Energjia kishte vëmendje të veçantë. Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës. Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord”, thuhet tutje. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!