×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti për zgjedhjet në Veri: Nuk u shtyen veç shkaku i rrezikut, por se s’kishte kushte për votë të lirë

    Reporteri
    11 Dhjetor 2022 | 13:48

    Kryeministri Albin Kurti ka treguar rreth vendimit për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës.

    Ai tha se për këtë vendim, nuk u mor parasysh vetëm konstatimi i policisë për rrezik, mirëpo edhe se mungonte vota e lirë shkaku i frikës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Zgjedhjet në katër komunat në veri u shtyn për prillin e vitit të ardhshëm me vendim të Presidentes Vjosa Osmani-Sadriu jo thjesht pse policia jonë ka konstatuar rrezik, po për shkak se nuk ka kushte për votë të lirë. Ka shumë frikë. Rreziku është evident, më i lartë se në të kaluarën, mirëpo frika është edhe më e madhe sesa rreziku. Dhe kjo frikë nuk krijon kushte për zgjedhje të lira, për votë të lirë të qytetarëve”, deklaroi Kurti para mediave.

    Tutje, kryeministri Kurti tha se po të mbaheshin zgjedhjet tani, si pasojë e frikës, dalja do të ishte minimale. Kjo tha se nuk përbën proces demokratik.

    “Ne duam që dalja në zgjedhje të mos jetë minimale. Dëshirojmë proces legal me legjitimitet të plotë. Për legjitimitet të plotë demokratik, nuk bën të ketë dalje minimale, e dalja parashihej të ishte minimale, po të mbaheshin zgjedhjet tani”.

    “Madje do thosha se po të mbaheshin zgjedhjet sot një javë në katër komunat në veri, shqiptarët, boshnjakët, romët, e të tjerët do të dilnin në zgjedhje, serbët do të frikësoheshin të dilnin. Pra në njëfarë mënyre, kjo shtyrja nuk është për shqiptarët”, theksoi tutje Kurti.

    Kjo hapësirë katër mujore deri në prill, Kurti tha se do të shfrytëzohet për të krijuar kushte për votë të lirë.

    “Ne po i shtyjmë zgjedhjet në mënyrë që ta krijojmë një hapësirë disa mujore që të hiqet frika e të votohet lirshëm”, tha kryeministri Kurti. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!