×
  • Lajme
  • Lajme

    LDK kërkon anulimin e përzgjedhjes së militantit të Vetëvendosjes drejtor në RTK

    Reporteri
    31 Janar 2023 | 19:03
    Selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës

    Pas përzgjedhjes drejtor në RTK të militantit të Vetëvendosjes, Rilind Gërvalla, nga Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësojnë se kryeministri Kurti po tenton ta institucionalizojë propagandën përmes televizionit publik.

    Sipas LDK’së, televizioni publik i Kosovës është institucion i pavarur, por përzgjedhja e Gërvallës drejtor nënkupton se pushteti po e kap atë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në reagim.

    Nga kjo parti kanë kërkuar që të anulohet ky vendim, si dhe ka paralajmëruar se do ta dërgojë këtë çështje të kapjes së institucioneve edhe në Kuvendin e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Reagimi i plotë:

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit.

    Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit.

    Kapet RTK-ja, aktivisti i Vetëvendosjes zgjedhet drejtor i televizionit publik

    Informimi i pavarur publik, nga një institucion i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme. RTK-ja, duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës; dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve.

    Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik.

    Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!