×
  • Lajme
  • Lajme

    Lëvizja për Bashkim: Asociacioni, bosnjëzim përfundimtar i Kosovës

    Reporteri
    21 Tetor 2022 | 14:59

    Një Asociacion me çfarëdo kompetencash ekzekutive vetëm se do ta legalizonte tërësisht dhe përfundimisht bosnjëzimin e shtetit të Kosovës, ka reaguar Lëvizja për Bashkim pas publikimit të një draft-Statuti të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe në media, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Edhe kështu siç qëndrojnë aktualisht gjërat, Lëvzja për Bashkim thotë se shteti i është i bosnjëzuar. “Republika e Kosovës, – me të drejtën e pakicave për votim të dyfishtë, të sanksionuar në Kushtetutë, në njërën anë; dhe me pushtetin ilegal nëpër komuna me shumicë serbe, në anën tjetër, – tashmë është e bosnjëzuar”.

    Lëvizja për Bashkim shpreht se tash e 9 vjet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe “është bërë sinonim i legalizimit të një autonomie politike të pakicës serbe brenda shtetit të Kosovës”.

    “Bartësit e institucioneve të shtetit të Kosovës kanë hezituar dhe hezitojnë ta jetësojnë atë. Madje edhe qeveritë që e kanë nënshkruar marrëveshjen për “Asociacionin…”, kanë hezituar ta jetësojnë. Ndërsa qeveria e tanishme e ka demonstruar edhe forcërisht qëndrimin kundër jetësimit të këtij asociacioni”, shkruan kjo lëvizje politike.

    Reagimi i plotë:

    Çdo asociacion i komunave me shumicë serbe – bosnjëzon shtetin e Kosovës!

    “Asociacioni i komunave me shumicë serbe” tash e 9 vjet është bërë sinonim i legalizimit të një autonomie politike të pakicës serbe brenda shtetit të Kosovës.

    Bartësit e institucioneve të shtetit të Kosovës kanë hezituar dhe hezitojnë ta jetësojnë atë. Madje edhe qeveritë që e kanë nënshkruar marrëveshjen për “Asociacionin…”, kanë hezituar ta jetësojnë. Ndërsa qeveria e tanishme e ka demonstruar edhe forcërisht qëndrimin kundër jetësimit të këtij asociacioni.

    Në mënyrë që shteti i Kosovës ta përpijë më lehtë jetësimin e këtij asociacioni, disa segmente të politikës sonë, e sidomos miqtë ndërkombëtarë, thonë se asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe pa kompetenca ekzekutive. Këtë të fundit nuk e përmendin qartë miqtë ndërkombëtarë.

    Mirëpo, sado që do të ishte në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës një asociacion i komunave me shumicë serbe – dhe sado pak kompetenca të kishte – një asociacion i tillë do ta bënte shtetin e Kosovës edhe më pak funksional sesa është tani.  

    Që të jemi më të saktë: Republika e Kosovës, – me të drejtën e pakicave për votim të dyfishtë, të sanksionuar në Kushtetutë, në njërën anë; dhe me pushtetin ilegal nëpër komuna me shumicë serbe, në anën tjetër, – tashmë është e bosnjëzuar. Një asociacion i komunave me shumicë serbe, me çfarëdo kompetencash, vetëm se do ta legalizonte tërësisht dhe përfundimisht bosnjëzimin e shtetit të Kosovës.

    Lëvizja për Bashkim

    Prishtinë, 21.10.2022

    Merrni lajmet më të fundit në telefonin tuaj mobil, në Viber!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!