×
  • Lajme
  • Lajme

    Mashtrimi me Start-up: Përfituesve të granteve iu dolën paratë në llogari por bizneset nuk u hapen kurrë

    Reporteri
    10 Gusht 2020 | 15:58

    Ministria e Inovacionit dhe Nërmarrësisë (MIN) gjatë vitit 2019 kishte realizuar me qindra pagesa për financimin e bizneseve Start-up në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.


    Mirëpo, sipas Auditorit të Përgjithshëm, në dhjetëra raste, përfituesve iu dolën mjetet në llogari, por bizneset nuk u hapen kurrë.

    Në bazë të nenit 8 të marrëveshjeve të lidhura ndërmjet MIN dhe përfituesve të granteve Startup, hapja e bizneseve si shoqëri tregtare është dashur të bëhet brenda gjashtë muajve nga nënshkrimi i kontratës.

    Kontratat ndërmjet MIN dhe përfituesve ishin nënshkruar me datë 04 shtator 2019 dhe ishin realizuar pagesat në llogari private të përfituesve. Sipas kontratës periudha e hapjes së bizneseve ishte gjashtë 6 muaj (deri në mars 2020).

    Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në atë periudhë, ishte Muzafer Shala i PDK-së, që po e pasonte ish-ministrin nga e njëjta parti, Besim Beqaj, i cili në qershor të vitit të shkuar kishte dhënë dorëheqje.

    “Nga 48 mostrat e testuara, në 10 raste përfituesit e granteve Start-up nuk kishin hapur fare bizneset. Kjo situatë është vlerësuar në kohën e procesit të auditimit në korrik të vitit 2020. Sipas ministrisë, shkaqet e ngecjes së këtij projekti ishin si pasojë e riformatimit të Qeverisë dhe mos përcaktimit të qartë të vendimmarrjes në këtë proces. Kjo çështje mbetet të përcillet edhe në auditimin në vijim”, thuhet në raportin e Auditorit për Ministrinë e Inovacionit, për vitin 2019.

    Mos hapja e bizneseve Start-up, sipas Auditorit, ndikon në mos përmbushjen e objektivave të ministrisë, njëkohësisht kjo ka ndikim në shpenzimin e mjeteve të pa arsyeshme dhe të pa arsyetuara.

    “Ministri duhet të siguroj monitorim adekuat të projektit Start-up, me qëllim të vlerësimit të objektivave të ministrisë. Kjo situatë kërkon një vlerësim rigoroz në këtë vit, të përcaktohen qartë përgjegjësitë në vendimmarrje, në mënyrë që të përmbyllet procesi i krijimit të bizneseve nga përfituesit, apo në të kundërtën të kthimit të mjeteve”, konstaton Auditori.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!