×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbi 13 mijë raste aktive me coronavirus, paralajmërohen masa kufizuese para festave të fundvitit

    Reporteri
    02 Dhjetor 2020 | 8:11

    Ka arritur në 40 mijë e 117 numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë.


    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se ka arritur në 40 mijë e 117 numri i përgjithshëm i të infektuarve, shkruan lajmi.net.

    Sipas IKSHPK-së, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani 1 mijë e 26 persona kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit.

    Në anën tjetër numri i të shëruarve ka arritur në 25 mijë e 586.

    Sipas IKSHPK-së, aktualisht në Kosovë janë 13 mijë e 505 raste aktive me koronavirus.

    Për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus dhe për shkak se mund të ketë grumbullime gjatë festave të fundvitit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë së martës ka paralajmëruar marrjen e masave të reja për kufizim të lëvizjes, apo të tjera para festave të fundvitit.

    I pari i Qeverisë gjatë konferencës për medie ka thënë se masat që i kanë ndërmarrë për kufizim të lëvizjes dhe të tjera mbesin në fuqi, pasi ato kanë dhënë rezultate.

    Ai po ashtu ka njoftuar se gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor do të përfundojë më 18 dhjetor, ndërsa gjysmëvjetori i dytë do të në nisë më 18 janar.

    Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, tha se masat e Qeverisë, kanë dhënë rezultat, duke kërkuar ndihmën edhe të qytetarëve në këtë situatë.

    “Edhe vendimet e qeverisë kanë bërë që lakorja të mbetet e sheshtë, por ka pasur efekt ky zbatim i masave. Ne do të vazhdojmë me këto masa sepse mund të bie lakorja. IKSHPK-ja, është në përcjellje të vazhdueshme të situatës dhe do të bie po që se marrim masa rigoroze. Ne po e përcjellim, por duhet ndihma e qytetarëve”, është shprehur Ramadani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!